Shqipëria po hedh hapa të rëndësishëm drejt shtrirjes së edukimit zgjedhor në nivel kombëtar. Gjatë takimeve koordinuese me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Agjencinë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar dhe Agjencinë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar, u prezantua Paketa e Edukimit Zgjedhor dhe u dakordësuan hapat e mëtejshëm për zbatimin e saj.
Paketa e Edukimit Zgjedhor është hartuar në kuadër të një procesi të gjerë konsultimi me institucionet përgjegjëse të arsimit dhe përfshin Manualin e mësuesit, Kalendarin e veprimtarive jashtëkurrikulare dhe Instrumentin për monitorimin dhe qëndrueshmërinë. Gjatë këtyre takimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve prezantoi punën e deritanishme me shkollat dhe theksoi se kjo paketë forcon më tej nismat ekzistuese në fushën e edukimit zgjedhor. Diskutimet u përqendruan në shpërndarjen e saj në sistemin arsimor, duke përfshirë ndarjen e paketës me 2 318 mësuesit e trajnuar tashmë nga Këshilli i Evropës në fushën e edukimit zgjedhor, si edhe me zyrat vendore të arsimit parauniversitar, me qëllim nxitjen e përdorimit sa më të gjerë të saj në shkolla. Gjithashtu, Ministria e Arsimit do ta përfshijë Paketën e Edukimit Zgjedhor në Udhëzuesin për vitin shkollor 2026-2027.
Paketa e Edukimit Zgjedhor mbështetet mbi rezultatet e deritanishme të projektit, të cilat përfshijnë integrimin e edukimit zgjedhor në kurrikulën kombëtare, trajnimin e 2 318 mësuesve, si dhe angazhimin e 20 000 nxënësve nga 335 shkolla të arsimit të mesëm përmes zhvillimit të zgjedhjeve simuluese, aktiviteteve të udhëhequra nga mësuesit dhe nismave të tjera në fushën e edukimit zgjedhor.
Takimet u organizuan në kuadër të projektit Fuqizimi i Integritetit të Zgjedhjeve në Shqipëri, i zbatuar nga Këshilli i Evropës dhe i financuar nga Republika Federale e Gjermanisë.


