Back Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miraton në parim Planin Strategjik dhe Strategjinë e Edukimit për 2027–2031, me mbështetjen e Këshillit të Evropës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miraton në parim Planin Strategjik dhe Strategjinë e Edukimit për 2027–2031, me mbështetjen e Këshillit të Evropës

Këshilli i Evropës mbështeti Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në procesin e vlerësimit dhe operacionalizimit të Planit Strategjik dhe Strategjisë së Edukimit për periudhën 2027-2031, gjatë një seminari dyditor. Në vijim të mbështetjes për hartimin e këtyre dokumenteve strategjike, seminari mblodhi drejtues dhe stafin e KQZ-së, anëtarë të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, dhe të Komisionit Rregullator, si dhe përfaqësues dhe ekspertë të Këshillit të Evropës.

Në hapje të aktivitetit, Ilirjan Celibashi, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, theksoi se dokumentet strategjike janë pronësi e KQZ-së dhe duhet të orientojnë veprimtarinë e institucionit në vitet në vijim. Ai nënvizoi gatishmërinë e KQZ-së për t’i kthyer përparësitë e identifikuara në veprime konkrete.

Liri Kopaci-Di Michele, Shefe e Divizionit për Bashkëpunimin Parlamentar dhe Zgjedhor, vuri në dukje se dokumentet strategjike ndërthurin vlerësimin e KQZ-së për nevojat dhe përparësitë e veta me ekspertizën kombëtare dhe ndërkombëtare. Ajo rikonfirmoi angazhimin e Këshillit të Evropës për të mbështetur KQZ-në në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe rritjen e efektivitetit të saj.

Franck Daeschler, Koordinator i Programeve Zgjedhore, paraqiti procesin e hartimit të dokumenteve strategjike, i cili përfshiu vetëvlerësimin institucional, shqyrtimin dhe analizën e Planit Strategjik të mëparshëm, konsultime të dedikuara me drejtoritë e KQZ-së dhe aktorë të tjerë, si dhe kontributin e ekspertëve. Ai theksoi se dokumentet pasqyrojnë përparësitë dhe kontekstin institucional të KQZ-së, duke konsideruar njëkohësisht rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, rezolutat e Kuvendit të Shqipërisë dhe kuadrin e integrimit në Bashkimin Evropian. Ai nënvizoi gjithashtu mbështetjen e Këshillit të Evropës për krijimin e një Qendre të përhershme të Trajnimit dhe Edukimit pranë KQZ-së, e parashikuar si drejtori e përgjithshme në strukturën e re institucionale të KQZ-së, e cila aktualisht është në shqyrtim në Kuvend.

Gjatë seminarit, pjesëmarrësit shqyrtuan qëllimet strategjike, objektivat dhe veprimet, dakordësuan hartën e përgjegjësive që qartëson rolet institucionale dhe identifikuan aktivitetet për planin vjetor të punës për vitin 2027. Gjithashtu, diskutuan treguesit dhe mekanizmat për monitorimin e progresit. Seminari hodhi bazat praktike për zbatimin e kuadrit strategjik duke filluar nga viti 2027, duke forcuar njëkohësisht rolin drejtues dhe përgjegjësinë e KQZ-së në këtë proces.

Seminari u zhvillua në kuadër të projektit Fuqizimi i Integritetit të Zgjedhjeve në Shqipëri, i zbatuar nga Këshilli i Evropës dhe i financuar nga Republika Federale e Gjermanisë.

Durrës, Shqipëri 6-7 tetor 2026
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page