Këshilli i Evropës mbështeti Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar në zhvillimin e një trajnimi për përdorimin praktik të Paketës së Edukimit Zgjedhor nëpër shkollat e vendit. Në trajnim morën pjesë mësues të edukimit qytetar dhe të historisë, si edhe koordinatorë të rrjeteve profesionale në fushën e shkencave shoqërore.
Në hapje të trajnimit, Gerti Janaqi, Drejtor i Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar dhe Ermina Allushi, Drejtoreshë e Edukimit Zgjedhor pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, theksuan rëndësinë e fuqizimit të mësuesve në përpjekjet e tyre për ta sjellë edukimin zgjedhor më pranë nxënësve. Mësuesit luajnë një rol kyç për t’u mundësuar të rinjve të njohin proceset demokratike, duke formësuar opinione të informuara në lidhje me to.
Në trajnim u shqyrtuan mënyrat në të cilat mësuesit mund të përshtasin aktivitetet e edukimit zgjedhor, ku mund të marrin pjesë të gjithë nxënësit, duke planifikuar shtrirjen e edukimit zgjedhor dhe qytetar gjatë gjithë vitit shkollor. Gjithashtu u diskutua edhe monitorimi dhe dokumentimi i zbatimit të këtyre aktiviteteve. Pjesëmarrësit hartuan kalendarë vjetorë të veprimtarive dhe plane individuale, ku përshkruan aktivitetet që synojnë të zhvillojnë nëpër shkolla. Trajnimi është pjesë e përpjekjeve më të gjera për ta sjellë edukimin zgjedhor akoma më pranë sistemit arsimor të Shqipërisë. Rritja e kapaciteteve të mësuesve për përdorimin praktik të Paketës së Edukimit Zgjedhor mbështet inisiativën për akreditimin e edukimit zgjedhor në kurrikulat e klasave 6 dhe 10, si edhe përfshirjen e Paketës në Udhëzimin e Përbashkët për vitin shkollor 2026–2027.
Ky aktivitet u organizua me mbështetjen e projektit të Këshillit të Evropës Fuqizimi i integritetit të zgjedhjeve në Shqipëri, i financuar nga Republika Federale e Gjermanisë.


