Back Arritjet e bashkëpunimit rajonal mbi lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias diskutohen në Mal të Zi

Arritjet e bashkëpunimit rajonal mbi lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias diskutohen në Mal të Zi

Konferenca përmbyllëse e projektit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Liria e shprehjes dhe liria e medias në Evropën Juglindore (JUFREX)” ka mbledhur së bashku partnerët dhe përfituesit kryesorë të projektit. Në të morën pjesë përfaqësues të profesionistëve ligjorë dhe institucioneve të tyre trajnuese, rregullatorë të medias dhe komuniteti mediatik dhe akademik nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova*, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Ardita Abdiu, Shefe e Divizionit të Bashkëpunimit për Lirinë e Shprehjes në Këshillin e Evropës, dhe Hillen Francke, Shefe e Sektorit për Shoqërinë Civile, Përfshirjen Sociale dhe Zhvillimin e Kapitalit Njerëzor, DG NEAR, Komisioni Evropian, iu drejtuan pjesëmarrësve duke theksuar rëndësinë e një qasjeje të koordinuar dhe nismave të bashkëpunimit në kuadër të projektit rajonal.

Dy sesionet paralele të organizuara mikëpritën përkatësisht konferencën periodike rajonale për profesionistët ligjorë dhe atë me përfaqësuesit e rregullatorëve, të organizuara në kuadër të JUFREX.

Konferenca e tretë Rajonale për profesionistët ligjorë mblodhi gjyqtarë, prokurorë, avokatë dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të diskutuar tendencat dhe problemet mbi përgjegjësinë e mediave dhe të përdoruesve për përmbajtje të palëve të treta në faqet e internetit dhe platformat e ndryshme të internetit. Krahas zhvillimeve në jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, pjesëmarrësit trajtuan implikimet e qasjes së ndërmarrë nga Rekomandimi CM/Rec(2022)16 për luftimin e gjuhës së urrejtjes.

Konferenca e tretë Rajonale për Autoritetet Rregullatore mbuloi mekanizmat e bashkërregullimit për të luftuar përmbajtjen e dëmshme në internet. Përfaqësuesit e autoriteteve përshëndetën fokusin në këtë temë, ndërsa theksuan nevojën për të përcaktuar më tej përgjegjësitë dhe kompetencat pasi legjislacionet vendore në rajon ende nuk i kanë rregulluar plotësisht përgjegjësitë e platformave të ndarjes së videove në moderim të përmbajtjes. Teksa pjesëmarrësit ranë dakord që transpozimi i direktivës së vitit 2018 për Shërbimet e Medias Audiovizive do të sjellë qartësi, ata theksuan nevojën për të zhvilluar kapacitetin e rregullatorëve përmes aktiviteteve ndërsektorale, vizitave të punës dhe rritjes së ndërgjegjësimit për standardet e zbatueshme, përmes veprimit rajonal.

Takimi përfundimtar i Komiteti Drejtues të projektit u mbajt në një përbërje të zgjeruar. Anëtarët e saj paraqitën një pasqyrë të rezultateve të bashkëpunimit në kuadër të projektit. Disa folës nënvizuan përdorimin e gjerë në nivel vendor të metodologjisë së JUFREX në trajnimet për profesionistët ligjorë si dhe përdorimin e mjeteve dhe kapaciteteve njerëzore që rrjedhin nga bashkëpunimi rajonal, madje edhe përtej fushës së lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias. Ata gjithashtu nënvizuan efektet pozitive të vërejtura në zbatimin e përmirësuar të standardeve evropiane në praktikën gjyqësore vendase për lirinë e shprehjes. Përfaqësuesit e rregullatorëve të medias dhanë shembuj praktikë të rëndësisë dhe përdorimit në punën e tyre, të njohurive të nxjerra nga shkëmbimi me kolegët e tyre në kuadër të projektit dhe studimeve të prodhuara në këtë kontekst.

Aktivitetet u organizuan në kuadrin e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022” dhe projektit të tij rajonal mbi “Lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias në Evropën Juglindore (JUFREX)”.

 

* Ky përcaktim është pa paragjykim ndaj qëndrimeve mbi statusin dhe është në përputhje me Rezolutën 1244 dhe opinionin e GJND-së për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.

 

 

 

Budva, Mali i Zi 20 tetor 2022
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page