Back Ekspozita “Një zë kundër bullizmit” me punimet e nxënësve nga 21 shkollat në Shqipëri

Ekspozita “Një zë kundër bullizmit” me punimet e nxënësve nga  21 shkollat në Shqipëri

Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) pranë Kryeministrisë, në bashkëpunim me Zyrën e Këshillit të Evropës në Tiranë dhe projektin e përbashkët të Bashkimit Evropian/Këshillit të Evropës “Lufta kundër bullizmit dhe ekstremizmit në systemin arsimon në Shqipëri” përuruan ekspozitën “Një zë kundër bullizmit”.

“Qëndroni të bashkuar”, “Stop bullizmit”, “Të gjithë ndriçojmë njëlloj”, “Bullizmi nuk të bën më të mençur” janë disa nga mesazhet që nxënësit e 21 shkollave pilote përcjellin përmes vizatimeve dhe punimeve të tyre që do të shfaqen për qytetarët gjatë12 - 24 prillit 2019, në Tiranë.

Le ta marrim këtë nismë së bashku dhe të jetë kjo ekspozitë vetëm hapi i parë i këtij bashkëpunimi! Të vendosim mendjen dhe zemrën në këtë nismë të përbashkët" - u shpreh Eridana Çano, drejtoreshë e Qendrës për Hapje dhe Dialog, pjesë e Kryeministrisë.

Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Jutta Gützkow, vuri theksin tek rëndësia e nxitjes së një kulture gjithëpërfshirëse, të sigurt dhe demokratike në shkolla ku diversiteti respektohet, vlerësohet dhe festohet. “Punimet e përzgjedhura dhe videot që do të shfaqen gjatë kësaj Ekspozite do të kontribuojnë në përçimin e mesazheve pozitive dhe frymëzuese për qytetarët shqiptarë si respekti për diversitetin, tolerancën, gjithëpërfshirjen, që qëndrojnë në themel të vlerave të Këshillit të Evropës”, u shpreh znj. Gützkow.

Fushatës së COD-it “Një Zë Kundër Bullizmit” i janë bashkuar edhe emra të njohur të artit, kulturës dhe të shoqërisë civile përmes videomesazheve ku tregojnë historitë e tyre personale kundër bullizmit.

Që prej tre vitesh, Zyra e Këshillit të Evropës në Tiranë, nëpërmjet projektit të përbashkët të Bashkimit Evropian/Këshillit të Evropës “Lufta kundër bullizmit dhe ekstremizmit në sistemin arsimor në Shqipëri”, po punon për të mbështetur Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, institucionet arsimore dhe 21 shkollat pilote në të gjithë vendin për krijimin e një mjedisi të sigurt dhe gjithëpërfshirës nxënieje duke luftuar fenomenin e bullizmit. Projekti synon të krijojë një kulturë të re në shkolla bazuar tek të drejtat e njeriut dhe demokracia për të eliminuar njëherë e mirë bullizmin në shkolla.

 

 

Tiranë 12 Prill 2019
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page