Back Të drejta të barabarta për gratë dhe vajzat: Roli i burrave dhe i djemve

Të drejta të barabarta për gratë dhe vajzat: Roli i burrave dhe i djemve
Ministri islandez për Punët e Jashtme dhe President i Komitetit të Ministrave Thórdís Kolbrún Reykfjörd Gylfadóttir, Presidenti i Asamblesë Parlamentare Tiny Kox dhe Sekretarja e Përgjithshme Marija Pejçinoviq Buriq kanë bërë deklaratën e mëposhtme:

"Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ne riafirmojmë angazhimin tonë të palëkundur për të siguruar barazi gjinore dhe për të mbrojtur të drejtat e grave. Burrat dhe djemtë mund dhe duhet të luajnë një rol më të madh në avancimin e barazisë gjinore. Ata duhet të jenë aktorë të ndryshimit pozitiv, duke sfiduar seksizmin dhe duke e ngritur zërin kur shohin gratë që ngacmohen ose trajtohen padrejtësisht”.

“Barazia gjinore u sjell dobi të gjithëve, burrave dhe grave njësoj. Askush nuk duhet të jetë i lidhur me një rol specifik gjinor. Stereotipet gjinore përjetësojnë ide të dëmshme të asaj që konsiderohet sjellje "e përshtatshme" - si për burrat ashtu edhe për gratë - dhe përbëjnë një pengesë për barazinë e vërtetë gjinore".

“Pabarazia gjinore gjithashtu mund të çojë në dhunë. Konventa e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje (e njohur si Konventa e Stambollit) është mjeti kryesor i organizatës për luftimin e dhunës me bazë gjinore dhe promovimin e barazisë gjinore. Konventa u bën thirrje të gjithë anëtarëve të shoqërisë, veçanërisht burrave dhe djemve, të kontribuojnë në mënyrë aktive në parandalimin e të gjitha formave të dhunës me bazë gjinore. Strategjia e Barazisë Gjinore e Këshillit të Evropës gjithashtu inkurajon burrat dhe djemtë të promovojnë barazinë gjinore. Kohët e fundit, një rezolutë e Asamblesë Parlamentare nxori në pah rolin dhe përgjegjësinë thelbësore të burrave dhe të djemve në ndalimin e dhunës me bazë gjinore”.

"Të drejtat e njeriut janë universale, dhe luftimi kundër të gjitha formave të diskriminimit, përfshirë seksizmin dhe racizmin, është thelbësore për arritjen e barazisë dhe drejtësisë për të gjithë. Burrat në poste drejtuese - qoftë në politikë, në biznes, në media, në institucione sportive apo kulturore - duhet të udhëheqin me shembull drejt barazisë për të gjithë."

 

 

Strazburg 8 mars 2023
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page