Back Deklaratë e Kryetares së Komitetit të Ministrave, Þórdís Kolbrún Reykfjörð Gylfadóttir, Ministre e Islandës për Punët e Jashtme

Deklaratë e Kryetares së Komitetit të Ministrave, Þórdís Kolbrún Reykfjörð Gylfadóttir, Ministre e Islandës për Punët e Jashtme

“Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, rikonfirmoj përkushtimin e palëkundur të Islandës për barazi gjinore dhe mbrojtjen, e fituar me vështirësi, të progresit në lidhje me të drejtat e njeriut të grave dhe vajzave. Së bashku, ne duhet të luftojmë të gjitha format e dhunës ndaj grave dhe vajzave kudo, gjithmonë. Fatkeqësisht, kjo është shkelja më e përhapur e të drejtave të njeriut në mbarë botën dhe ndodh në të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Evropës. Ndërkohë që janë arritur përfitime të rëndësishme në luftën kundër dhunës me bazë gjinore gjatë dekadave të aktivizmit, sërisht forma të reja të dhunës janë shfaqur."

“Gjatë presidencës sonë, Islanda do të ketë një fokus të veçantë në veprimin kundër dhunës dixhitale. Si pjesë e Presidencës sonë, ne do të angazhohemi aktivisht në fushatën e 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore duke filluar nga sot, që synon parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave. Për të demonstruar solidaritetin tonë në eliminimin e të gjitha formave të dhunës ndaj grave dhe vajzave, Ministria Islandeze e Punëve të Jashtme në Reykjavik dhe ambasadat islandeze në mbarë botën do të ndriçohen me ngjyrë portokalli gjatë 16 ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore. Kjo gjë organizohet në bashkërendim me Ditën Portokalli të Fushatës UNiTE për t'i dhënë fund dhunës kundër grave më 25 nëntor. Ngjyra portokalli simbolizon një të ardhme më të ndritshme, pa dhunë."

“I inkurajoj të gjithë të përfshihen gjatë këtyre 16 ditëve – dhe çdo ditë. Unë jam e përkushtuar të bëj pjesën time. Gjatë Presidencës sonë do të theksojmë gjithashtu rëndësinë e ndërgjegjësimit për format e ndryshme të dhunës ndaj grave dhe vajzave. Së bashku me delegacionet e tjera në Strazburg, Përfaqësia e Përhershme e Islandës do të organizojë një fushatë në rrjetet sociale për të theksuar ndikimin pozitiv të Konventës së Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje (Konventa e Stambollit) në nivel kombëtar."

 

 

 

 

Strazburg 24 nëntor 2022
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page