Back Forcimi i kapaciteteve institucionale për përdorimin e sistemit elektronik të deklarimit të pasurisë

Forcimi i kapaciteteve institucionale për përdorimin e sistemit elektronik të deklarimit të pasurisë

Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri organizoi dy ditë trajnime për të mbështetur stafin e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) dhe autoritetet publike përgjegjëse në funksionimin e sistemit elektronik të deklarimit dhe publikimit të pasurive dhe konflikteve të interesave. Si rezultat i këtij aktiviteti, 130 përfaqësues nga institucionet publike përkatëse zhvilluan aftësi të rëndësishme për të siguruar funksionimin efektiv të sistemit elektronik të deklarimit të pasurisë.

Qëllimi i këtyre trajnimeve ishte rritja e kapaciteteve dhe njohurive të autoriteteve publike, të cilat janë përgjegjës për procesin e menaxhimit të deklarimit të pasurisë së përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve publikë. Gjatë këtyre ditëve, pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen me sistemin elektronik, modulet dhe funksionet e tij kryesore si dhe u pajisën me informacion teknik për të siguruar funksionimin efektiv të sistemit elektronik.

Sistemi elektronik i deklarimit të pasurisë, një sistem i rëndësishëm i cili u mundësua si rezultat i mbështetjes së Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe USAID-it, përbën një mekanizëm kryesor për parandalimin dhe luftën ndaj korrupsionit. Ky sistem do të thjeshtojë procesin e deklarimit të pasurisë, dorëzimit dhe publikimit të këtyre deklaratave në kohë reale duke rritur transparencën ndaj opinionit publik dhe medias. Sistemi elektronik do të ketë një rol të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve monitoruese dhe efektivitetin e verifikimeve të kryera nga ILDKPKI. Duke siguruar funksionimin efektiv të sistemit elektronik duke nisur nga janari i vitit 2022, Shqipëria do të adresojë një nga rekomandimet kryesore të raporteve të GRECO-s.

Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri është pjesë e “Instrumentit Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë II”, një program i përbashkët i Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës, i cili synon të ndihmojë institucionet përfituese në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë për të respektuar standardet e Këshillit të Evropës dhe të drejtën e Bashkimit Evropian në kuadër të procesit të zgjerimit.

 

 

 

Tiranë, Shqipëri 20-21 tetor 2021
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page