Back Studentët në fushën e drejtësisë mbështesin procesin e regjistrimit të titujve të pronësisë në Shqipëri

@Shutterstock.com

@Shutterstock.com

Me miratimin e ligjit 20/2020 për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Shqipëri, projekti i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Mbështetje për zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe për lehtësimin e ekzekutimit të vendimeve të GJEDNj-së në Shqipëri” ka zgjeruar mbështetjen për Agjensinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) mbi përmirësimin e kuadrit nënligjor dhe zbatimit të tij. Në këtë kontekst, projekti do të mbështësë ASHK-në nëpërmjet organizimit të një fushate informuese dhe ndërgjegjësuese për pronarët në 8 zona kadastrale të përzgjedhura të cilat janë në proces të regjistrimit fillestar të titujve të pronësisë.

Risia e kësaj fushate ka të bëjë me përfshirjen e studentëve të Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, duke bërë të mundur praktikimin e njohurive në fushën e të drejtave të njeriut në komunitetet e tyre.

Në këtë kuadër, në datat 12 dhe 13 Nëntor u organizua një trajnim intensiv online me pjesëmarrjen e më shumë 160 studentëve dhe profesionistëve të rinj të fushës nga Fakulteti i Drejtësisë së Universitetit të Tiranës. Trajnimi u përqëndrua në dispozitat e Ligjit 11/2018 të Kadastrës në lidhje me procesin e regjistrimin fillestar si dhe zbatimin e ligjit 20/2020 për regjistrimin e titujve bujqësor të pronësisë (AMTP-ve).

Javët e ardhshme rreth 25 studentë të trajnuar nga Fakulteti i Drejtësisë do t’i bashkohen stafit të ASHK-së në 8 zona të ndryshme në vend dhe do të ndihmojnë në procesin e regjistrimit fillestar.

Projekti “Mbështetje për zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe për lehtësimin e ekzekutimit të vendimeve të GJEDNj-së në Shqipëri”, si pjesë e programit “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë - Faza II”, bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës dhe zbatuar nga Këshilli i Evropës.

 

 

 

17 nëntor 2020
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page