Back Zhvillimet më të fundit në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut mbi lirinë e shprehjes në Buletinin nr. 3

Zhvillimet më të fundit në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut mbi lirinë e shprehjes në Buletinin nr. 3

Buletini mbi “Zhvillimet e fundit në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut mbi Lirinë e Shprehjes” përbën një mjet të veçantë për shkëmbimin e informacionit mbi tendencat dhe zhvillimet e reja në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ, Gjykata), dhe në të njëjtën kohë, kontribuon në përmirësimin e mëtejshëm të njohurive në fushën e lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias të profesionistëve në fushën e ligjit nga Ballkani Perëndimor dhe më gjerë.

Botuar në kuadër të programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës Instrumenti Horizontal II, Buletini i botuar së fundi analizon periudhën shkurt-korrik 2021 në të cilën Gjykata ka dhënë një numër të konsiderueshëm vendimesh relevante mbi lirinë e shprehjes, mbrojtjen dhe sigurinë e gazetarëve. Këto vendime kishin të bënin me fusha të ndryshme të nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ; Konventa). Ato ose rikonfirmuan parimet që janë pjesë e praktikës gjyqësore të mirëpërcaktuar ose përforcuan dhe sqaruan më tej standardet e vendosura tashmë në këtë fushë.

Në vendimet e përzgjedhura që shtjellohen në këtë Buletin, Gjykata trajton aspektet më të gjera të lirisë së shprehjes, me fokus në zgjerimin e fushës së veprimit të nenit 10 për të mbuluar protestat jo të dhunshme të artit të performancës, si një manifestim i fjalës politike; reklamat që kontribuojnë në një debat publik lidhur me çështje me interes të përgjithshëm dhe mund të konsiderohen si në kundërshtim me moralin publik dhe vlerat fetare; dhe kufizimet e lirisë së shprehjes në internet, kur ajo kthehet në gjuhë fyese të urrejtjes dhe nxitëse e dhunës.

Sa i përket lirisë së medias, rastet e paraqitura diskutojnë përgjegjësitë e gazetarëve në ushtrimin e profesionit të tyre gjatë kryerjes së aktiviteteve për mbledhjen e lajmeve; qasje në informacione për çështje me interes publik dhe në dokumente zyrtare; mbrojtjen e burimeve të gazetarëve në lidhje me përdorimin e teknologjive të vëzhgimit dhe në operacionet e vëzhgimit masiv, në veçanti; si dhe përfshirjen e organeve të medias në fushatën elektorale online.

Në tërësi, rastet e përzgjedhura kanë nënvizuar detyrimin e shteteve palë në Konventë për të respektuar standardet e Konventës në përputhje me parimin e subsidiaritetit, ndërsa në disa raste autoriteteve u kërkohet të kontribuojnë në zbatimin kombëtar të Konventës duke marrë masa të përgjithshme për të forcuar kuadrin ligjor ekzistues dhe për të avancuar praktikat e tyre administrative dhe gjyqësore, me synimin për të parandaluar shfaqjen e shkeljeve të ngjashme të lirisë së shprehjes në të ardhmen.

Buletini është në dispozicion në anglishtshqipboshnjakishtmaqedonisht, në gjuhën malazeze dhe atë serbe dhe është përgatitur në kuadër të programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës "Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022" dhe projektit rajonal “Liria e shprehjes dhe liria e mediave në Evropën Jug-Lindore (JUFREX)”.

 

 

 

Ballkani Perëndimor 10 nëntor 2021
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page