Back Rritja e kapaciteteve të policisë së burgut të Shkodrës në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës

Rritja e kapaciteteve të policisë së burgut të Shkodrës në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës

Nëpërmjet programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, Instrumenti Horizontal II, Njësia për Bashkëpunim në të Drejtën Penale po punon së bashku me Drejtorinë e Përgjithshme të Administratës së Burgjeve në Shqipëri për të rritur kapacitetet e qëndrueshme të Qendrës së Trajnimit për stafin e sistemit penitenciar. Pas procesit të rishikimit të 28 moduleve ekzistuese të trajnimit për të inkorporuar standardet e Këshillit të Evropës, më 25-26 tetor 2021 u zhvillua trajnimi i parë i bazuar në përmbajtje për policinë e burgut të Shkodrës.

Gjatë trajnimit 2-ditor, të ndjekur nga 22 policë të burgut të Shkodrës, u mbajt një ekuilibër i mirë midis aspekteve metodologjike, procedurave, rasteve studimore dhe demonstrimit praktik të teknikave që kërkohen nga policia e burgjeve në punën e tyre të përditshme. Pjesëmarrësit patën mundësinë që të rrisnin njohuritë dhe aftësitë e tyre në tre module, konkretisht “kryerja e kontrollit”, “shoqërimi dhe transportimi i të burgosurve dhe të paraburgosurve” dhe “mjetet e kufizimit”, si dhe të mësonin më shumë mbi praktikat më të mira Evropiane dhe standardet e Këshillit të Evropës në lidhje me këto tema. Trajnimi u mbajt nga një ekip prej tre trajnerësh vendas dhe një konsulent ndërkombëtar, i cili ndau me punonjësit e policisë së burgjeve aspektet kyçe që lidhen me zbatimin e duhur të praktikave policore të cilat respektojnë dinjitetin dhe të drejtat e njeriut të të dënuarve.

Ky aktivitet u organizua në kuadër të  projektit “Forcimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut të të dënuarve në Shqipëri”, si pjesë e iniciativës së përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022”.

 

 

 

Shkodër, Shqipëri 25-26 tetor 2021
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page