Back Organi i Këshillit të Evropës për antikorrupsionin njeh progresin në Shqipëri por bën thirrje për veprim të mëtejshëm

Organi i Këshillit të Evropës për antikorrupsionin njeh progresin në Shqipëri por bën thirrje për veprim të mëtejshëm

Në një raport të botuar sot, Grupi i Shteteve kundër Korrupsionit i Këshillit të Evropës (GRECO) pranon progresin e bërë nga Shqipëria në zbatimin e rekomandimeve të saj për të parandaluar korrupsionin në lidhje me parlamentarët, gjyqtarët dhe prokurorët, por gjithashtu bën thirrje për një numër përmirësimesh dhe për përfundimin e reformave në pritje.

raportin e tij, GRECO arrin në përfundimin se Shqipëria deri më tani ka përmbushur plotësisht katër nga 10 rekomandimet që kishte nxjerrë në raportin e tij të vlerësimit në vitin 2014. Të gjashtë rekomandimet e tjera janë zbatuar vetëm pjesërisht (shih gjithashtu versionin në frëngjisht të raportit të sotëm).

GRECO e mirëpret si një hap të rëndësishëm përpara miratimit në prill të vitit 2018 të Kodit të Sjelljes për anëtarët e parlamentit, ku mbulohen çështje të tilla si konflikti i interesit; aktivitetet shtesë; dhuratat; dhe kufizimet pas përfundimit të detyrës. Konfliktet e interesit duhet të deklarohen nga deputetët kur ato lindin dhe është përcaktuar një procedurë për të siguruar që kontaktet e deputetëve me palë te treta gjatë procesit legjislativ të raportohen, regjistrohen dhe të bëhen publike.

Megjithatë, GRECO shpreh keqardhje për mungesën e qartësisë në lidhje me zbatimin e këtyre rregullave dhe sanksioneve në rast shkeljesh, të cilat nuk përmenden shprehimisht në tekstin e Kodit të Sjelljes, dhe nënvizon nevojën për një mekanizëm zbatimi, duke përfshirë sanksione, për t’a bërë kodin efektiv. Kuvendi po planifikon të zhvillojë udhëzime për të hedhur dritë mbi rregullat e përfshira në Kodin e Etikës, por ato ende duhet të miratohen. Ndërgjegjësimi dhe trajnimi i deputetëve për këto rregulla janë ende në fazë përcaktimi.

Raporti gjithashtu njeh si një hap pozitiv faktin që periudha e kontrolleve të deklaratave të pasurisë së deputetëve është shkurtuar dhe se ato publikohen në një faqe zyrtare.

Në lidhje me gjyqtarët, një reformë e madhe gjyqësore është në vazhdim e sipër që nga viti 2014 si dhe një proces vetingu gjithashtu me qëllim luftën kundër korrupsionit në gjyqësor. GRECO mirëpret ndryshimin, si pjesë e paketës së reformës, ku roli i Presidentit të Republikës është kufizuar në emërimin formal të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë me propozimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, i përbërë nga një shumicë e gjyqtarëve të zgjedhur nga kolegët e tyre.

Zhvillime të tjera pozitive, sapo të përfundojë reforma, përfshijnë: funksionimi i administratës gjyqësore nuk do të jetë më përgjegjësi e Ministrisë së Drejtësisë por e Këshillit të Lartë Gjyqësor; dhe se Këshilli i Lartë Gjyqësor do të jetë përgjegjës për vendosjen e standardeve etike dhe monitorimin e tyre.

GRECO konsideron një hap tjetër pozitiv krijimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë si autoritet i pavarur dhe përgjegjës për trajtimin e ankesave, hetimin e shkeljeve dhe fillimin e procedimeve disiplinore kundër të gjithë gjyqtarëve, megjithëse vë në dukje se posti është ende vakant. Nga ana tjetër, GRECO shpreh keqardhje për vonesat e vazhdueshme në vlerësimet periodike të gjyqtarëve.

Përsa i përket prokurorëve, raporti shënon përparim në kuadrin ligjor për vlerësimin e tyre, i cili tani përfshin më shumë kritere lidhur me integritetin dhe standardet etike, edhe pse Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili do të jetë përgjegjës për vlerësimin e prokurorëve, ende mbetet për tu krijuar.

Së fundi, GRECO u kërkon autoriteteve shqiptare të japin një përditësim të progresit në zbatimin e rekomandimeve të pazgjidhura jo më vonë se data 31 mars 2019.

 

  • Raporti (përkthim jo-zyrtar i siguruar nga autoritetet shqiptare)

Kontakt për median

Jaime Rodriguez, Zëdhënës

Tel. +33 3 90 21 47 04


Këshilli i Evropës, Zyra për Median
Tel. +33 (0)3 88 41 25 60 - www.coe.int - [email protected]

 

 

headline Strazburg 12 korrik 2018
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page