Back Festimi i 8 prillit - Dita Ndërkombëtare Rome në Shqipëri

Festimi i 8 prillit - Dita Ndërkombëtare Rome në Shqipëri

Për të shënuar 50 vjetorin e Kongresit Ndërkombëtar të Romëve, të mbajtur në Londër më 1971, është organizua sot në Tiranë një konferencë virtuale mbi “Luftimin e racizmit kundër Romëve dhe Egjiptianëve: Një perspektivë që sheh nga e ardhmja”, nën kujdesin e programit ROMACTED të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Eventi synoi të trajtonte zhvillimet më të fundit, të stimulonte dhe sillte më pranë qytetarëve debatin institucional dhe publik për luftimin e racizmit, përfshirë instrumentet për ta adresuar atë. Përfaqësues të nderuar të autoriteteve qendrore dhe vendore, organeve të barazisë, organizatave të shoqërisë civile rome, kontribuan aktivisht nga pozicionet e tyre përkatëse.

Luigi Soreca, Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, foli në këtë ngjarje duke theksuar: “Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve, unë dua të sjell një mesazh miqësie dhe mbështetjeje, në emër të Bashkimit Evropian, për miqtë tanë romë dhe egjiptianë. Pandemia ka përkeqësuar kushtet e vështira të jetesës me të cilat përballen romët dhe egjiptianët në Shqipëri dhe ka rritur diskriminimin e rrënjosur thellë ndaj këtij komuniteti. BE dënon të gjitha format e stigmatizimit, "etnizimit" dhe anti-ciganizmit, të cilat janë në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Evropian dhe kundër parimeve themelore të demokracisë".

Albert Nikolla, Zv/Ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale theksoi që “...gjithkund ekzistojnë paragjykime dhe diskriminime. Kjo nuk mund të çrrënjoset menjëherë. Edhe sot, në një entitet evropian që garanton të drejta për të gjithë qytetarët e saj dhe ku respektimi i të drejtave të pakicave është parakusht për marrjen e statusit dhe të qenit anëtar i Bashkimit Evropian, romët janë objekt i formave të ndryshme të diskriminimit, stereotipeve, anticiganizmit si dhe përjashtimit social. Racizmi kundër romëve, diskriminimi ndaj tyre i akumuluar në kohë, si dhe streotipat dhe paragjykimet ndaj tyre hasen në Shqipëri, ashtu si edhe në shumë vende të tjera ku ato janë prezente. Ky racizëm është provuar të jetë një pengesë e madhe në përpjekjet për të përmirësuar kushtet dhe standardet e jetesës për Romët. Mosgatishmëria për të adresuar anti-racizmin ndaj romëve dhe egjiptianëve në jetën publike, sociale apo kulturore, është e papranueshme. Procesi i përfshirjes së romëve dhe egjiptianëve nuk mund jetë një punë e zakonshme. Kërkohet një debat i drejtpërdrejtë dhe i hapur si dhe një angazhim për të përmbushur si detyrimet e Deklaratës së Poznanit por edhe zbatimin e Kornizës së Bashkimit Evropian për barazi, përfshirje dhe pjesëmarrje për romët dhe egjiptianët. Vetëm me një angazhim të tillë do të jetë e mundur të trajtohet fenomeni i anti racizmit dhe të përmirësohet realiteti që romët dhe egjiptianët vazhdojnë të përballen.

Thorsten Afflerbach, Shefi i Divizionit për Ekipin e Romëve dhe Udhëtarëve, në fjalët e tij përshëndetëse përgëzoi Ministrinë Shqiptare të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në lidhje me angazhimin për të njohur rëndësinë e luftimit të antigjipsizmit dhe masat e parashikuara për ta adresuar atë. Ai më tej nënvizoi se "Meqenëse luftimi i antigjipsizmit është një ushtrim ndër-institucional midis aktorëve të ndryshëm si në nivelin qendror dhe atë vendor, unë do të inkurajoja që autoritetet vendore në Shqipëri të angazhohen për zbatimin e Planeve Vendore të Veprimit për Integrimin e Pakicave Rome dhe Egjiptiane 2019 -2022 përmes angazhimit të fondeve të dedikuara në programet e tyre buxhetore që kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në integrimin rom, siç janë shërbimet e kujdesit shëndetësor parësor, arsimi parashkollor dhe fillor; kujdesi social për familjet dhe fëmijët; papunësia, arsimi dhe aftësimi dhe strehimi social”.

Pjesëmarrësit vlerësuan mbështetjen e ofruar nga Ekipi i Romëve dhe Udhëtarëve të Këshillit të Evropës për krijimin e një kapitulli specifik mbi "Luftimin e Antigjipsizmit" nën kuadrin e Planit Kombëtar të Veprimit për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve 2021-2025, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës.

Ngjarja shërbeu si një platformë për të promovuar librin "Legjendat dhe përrallat rome" nga Sead Kazanxhiu mbështetur nga Ekipi i Romëve dhe Udhëtarëve si dhe një video spot informativ përgatitur për popullatën rome në Shqipëri në lidhje me të drejtën e tyre për të votuar dhe inkurajuar pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentare të 25 prill 2021, përgatitur në bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Shiko spotit video  https://fb.watch/4KTb1i51bY/

 

 

 

Tiranë 8 prill 2021
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page