Back Zyrtaret shqiptarë të sistemit penitenciar aftësohen për të zhvilluar plane parandaluese për të dënuarit me rrezik vetëdëmtimi dhe vetëvrasjeje

Zyrtaret shqiptarë të sistemit penitenciar aftësohen për të zhvilluar plane parandaluese për të dënuarit me rrezik vetëdëmtimi dhe vetëvrasjeje

Në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për të përmirësuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut të të dënuarve në Shqipëri, personeli i burgjeve u trajnua për t'iu përgjigjur më mirë incidenteve të vetëvrasjes dhe vetëlëndimit në burgje. Trajnimi i organizuar me mbështetjen e projektit të përbashkët të BE-së dhe Këshillit të Evropës “Përmirësimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut të personave të dënuar në Shqipëri ”, mblodhi në Tiranë 25 profesionistë të ardhur nga burgu i grave “Ali Demi”, IEVP Durrës (akomodim i specializuar për të dënuarit me çrregullimet e shëndetit mendor) dhe IEVP Lezhë (seksioni përgjegjës për pacientët forensikë). Trajnimi u fokusua në zbulimin e hershëm të tendencave për vetëvrasje tek të dënuarit, reagimin ndaj incidenteve dhe zhvillimin e planeve individuale të trajtimit për të parandaluar të burgosurit nga vetëdëmtimi.

Kjo ndërhyrje që synonte rritjen e kapaciteteve të personelit penitenciar, ofroi njohuritë e nevojshme teorike të  mbështetura me Standardet e Këshillit të Evropës dhe vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Për t'iu përgjigjur nevojave reale, trajnimi u përqendrua kryesisht në diskutimin e praktikave aktuale në burgjet shqiptare, veçanërisht në lidhje me ato mjedise ku akomodohen të dënuarit me çrregullime të shëndetit mendor; zhvillimi i reagimit të menjëhershëm ndaj incidenteve dhe planet multidisiplinare të trajtimit, të para si masa parandaluese për vetëvrasjen dhe vetëdëmtimin në një mjedis burgu.

Gjatë diskutimeve, theksi u vu në bashkëpunimin e nevojshëm midis personelit të sigurisë dhe personelit psiko-social, rolit të menaxherëve të rasteve dhe domosdoshmërisë së protokolleve operacionale për stafin e burgjeve, të cilët do të projektohen si koordinatorë për parandalimin e vetëvrasjeve në të ardhmen.

Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit “Përmirësimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut të personave të dënuar në Shqipëri ”, si pjesë e iniciativës së përbashkët të Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës Instrumenti Horizontal për Ballkanin perëndimor dhe Turqinë 2019-2022

 

 

 

Tiranë 24 shkurt 2022
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page