Back Italia dhe Këshilli i Evropës bëjnë thirrje për t'i dhënë fund dhunës ndaj grave, përfshirë asaj në internet

Deklaratë e përbashkët nga Elena Bonetti, ministre e Italisë për mundësi të barabarta dhe familjen dhe Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës, Marija Pejčinović Burić
Italia dhe Këshilli i Evropës bëjnë thirrje për t'i dhënë fund dhunës ndaj grave, përfshirë asaj në internet

Ne i kemi mjetet për të kapërcyer kërcënimin në rritje të dhunës ndaj grave dhe vajzave, përfshirë dhunën në internet.

 

Në vitin 2021 shënojmë përvjetorin e Konventës së Stambollit. Kanë kaluar 10 vjet që kur Konventa e Stambollit e Këshillit të Evropës – Konventa për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje – u hap për nënshkrim. E megjithatë, rruga për të luftuar dhunën ndaj grave është ende e gjatë.

Rreth 736 milionë gra në mbarë botën – pothuajse një në tre – i janë nënshtruar dhunës intime nga partneri, dhunës seksuale nga jopartneri, ose të dyja, të paktën një herë në jetën e tyre, sipas statistikave të Kombeve të Bashkuara. Kjo shifër nuk përfshin ngacmimet seksuale dhe format e dhunës si përndjekja, martesa e detyruar apo gjymtimi i organeve gjenitale femërore.

Presidenca italiane e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës fokusohet në fuqizimin e grave, që përfshin mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të tyre. Ne nuk mund të rrimë duarlidhur teksa kërcënimet në internet të dhunës me bazë gjinore po rriten, veçanërisht sepse dhuna në internet përhapet lehtësisht në botën "fizike".

Konventa e Stambollit është e qartë në qëllimet e saj: parandalon dhunën ndaj grave, mbron ata që bëhen viktima dhe siguron ndjekjen penale të autorëve.

Konventa jo vetëm që inkurajon politikëbërjen e integruar, por gjithashtu kriminalizon vepra të veçanta, si ndjekja, martesa e detyruar dhe gjymtimi i organeve gjenitale femërore. Aty ku është zbatuar, ka funksionuar – dhe me ndryshime pozitive në ligjet e brendshme.

Konventa e Stambollit është instrumenti ndërkombëtar më i avancuar që kanë shtetet evropiane dhe zbatimi i plotë i saj është mënyra më efektive për të mbrojtur të drejtat e grave. Ne inkurajojmë nënshkrime dhe ratifikime të tjera.

Gjatë izolimeve, rastet e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore ndaj grave janë rritur në mënyrë dramatike. Pjesëmarrja e grave në tregun e punës, shërbimet mbështetëse të familjes dhe promovimi i roleve udhëheqëse për gratë në ekonomi dhe shoqëri duhet të jenë tema prioritare në programet e rimëkëmbjes. Fuqizimi i grave është thelbësor për parandalimin e dhunës ndaj grave, duke përfshirë "dhunën ekonomike". Është gjithashtu thelbësore të vazhdohet të punohet për harmonizimin e jetës profesionale dhe private për të siguruar që gratë të mos jenë të detyruara të zgjedhin midis familjes dhe punës.

Një ditë përpara Ditës Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave (më 24 nëntor 2021), Grupi i Ekspertëve për Aksion kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje (GREVIO) ka publikuar rekomandimin e tij të parë të përgjithshëm mbi “dimensionin dixhital të dhunës ndaj grave”.

Rekomandimi mbulon aktet e dhunës ndaj grave në internet – të tilla si shpërndarja e imazheve poshtëruese, fyerjet dhe kërcënimet me vdekje dhe përdhunimi – dhe gjithashtu krimet e kryera përmes teknologjisë së gjurmimit të raportuar nga kompanitë e sigurisë kibernetike. Rekomandimi kërkon veprim për të parandaluar autorët që të kontrollojnë aftësinë e një gruaje, pa pëlqimin e saj, për të përvetësuar, përdorur dhe mbajtur burime ekonomike duke kontrolluar llogaritë bankare dhe aktivitetet financiare përmes bankingut në internet. Ai promovon aftësinë për shkrim dhe lexim dixhital dhe sigurinë në internet në kurrikulat formale dhe në të gjitha nivelet e arsimit, si dhe trajnimin mbi shprehjet dixhitale të dhunës ndaj grave për aktorët përkatës: nga profesionistët e zbatimit të ligjit dhe të së drejtës penale, tek anëtarët e gjyqësorit dhe personeli i kujdesit shëndetësor.

Ndër masat e shumta të tij, rekomandimi i GREVIO-s promovon përfshirjen e shkrim-leximit dixhital dhe sigurinë në internet në të gjitha nivelet e arsimit; ai inkurajon ndërmjetësuesit e internetit të ndajnë përgjegjësinë dhe të ndërmarrin veprime për t'i dhënë fund mosndëshkimit të akteve dixhitale të dhunës me bazë gjinore dhe bën thirrje për pajisjen e zbatuesve të ligjit me instrumentet dhe njohuritë e nevojshme për të hetuar dhe ndjekur penalisht autorët në mënyrë efektive. Për më tepër, Rekomandimi i ri i Përgjithshëm bazohet në një kapitull – kushtuar abuzimit seksist në internet – të Rekomandimit të vitit 2019 të Komitetit të Ministrave për të gjitha shtetet anëtare për parandalimin dhe luftimin e seksizmit.

Ai nxjerr në pah një lidhje thelbësore me Konventën e Stambollit në kontekstin e dimensionit dixhital të dhunës ndaj grave dhe ofron mundësi të mundshme për sinergji midis traktatit të Stambollit dhe Konventës së Këshillit të Evropës për krimin kibernetik, i njohur gjithashtu si Konventa e Budapestit, një traktat historik i konsideruar si Marrëveshja ndërkombëtare më gjithëpërfshirëse dhe koherente për krimin kibernetik dhe provat elektronike deri më sot, duke shënuar 20 vjetorin e saj këte muaj.

Dhuna ndaj grave është një kërcënim serioz për lirinë dhe të drejtat e grave, duke përfshirë dhunën në internet dhe krimin kibernetik me bazë gjinore. Ne kemi në dispozicion mjetet për të njohur dhe për të luftuar dhunën. Teksa ne festojmë përvjetorët këtë vit për dy traktate thelbësore të Këshillit të Evropës dhe në dritën e Ditës së OKB-së, u bëjmë thirrje të gjitha shteteve palë të ndjekin indikacionet e Konventës së Stambollit dhe udhëzimet e përcaktuara në rekomandimin e ri të GREVIO-s.

 

 

 

Strazburg 25 nëntor 2021
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page