Kapërcimi i ndasive ndëretnike duhet të jetë një prioritet kryesor në “Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë”


Strazburg, 9/4/2013 –“Që prej nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë së Ohrit e cila i dha fund konfliktit të vitit 2001, disa arritje të rëndësishme janë bërë në fushat e qeverisjes lokale, përdorimin e gjuhëve dhe përfaqësimin e drejtë. Megjithatë, politizimi i thellë sipas linjave partiake dhe patronazhi politik minojnë kohezionin social” tha sot Nils Muižnieks, Komisioner i Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, gjatë prezantimit të një raporti të bazuar në vizitën e tij në vend, në nëntor të vitit 2012.

Ndërsa “Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë” ka një sistem të mirëzhvilluar të arsimimit në gjuhët jo-shumicë, Komisioneri nënvizoi rëndësinë e një arsimimi integrues. “Nxënësit e përkatësive etnike maqedonase dhe shqiptare kanë shumë pak mundësi për të ndërvepruar dhe rrjedhimisht janë të privuar nga mundësia për të mësuar rreth njëri-tjetrit dhe nga njëri-tjetri. Fëmijët dhe të rinjtë nuk duhet të jenë pengje të debateve me shumatore zero mbi të drejtat e komuniteteve”, u shpreh Komisioneri.

Duhet të veprohet për të zgjidhur çështjet e të drejtave të njëriut lidhur me konfliktin e vitit 2001. “Pandëshkueshmëria për shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut të kryera në vitin 2001 pengon pajtimin e qëndrueshëm ndërmjet dy komuniteteve kryesore. Nevojitet drejtësi për të siguruar vënien para përgjegjësive dhe për të rivendosur të drejtat dhe dinjitetin e viktimave. Vendimi i marre nga Parlamenti në vitin 2011 mbi interpretimin e Ligjit të Amnistisë, i cili parashikon që ky i fundit aplikohet për të gjitha aktet kriminale të kryera gjatë konfliktit të vitit 2001, i shtohet këtyre vështirësive. Amnistia nuk duhet të aplikohet në rastet e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut dhe shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare humanitare.”

Komisioneri bën thirrje gjithashtu për sqarimin e fatit të katërmbëdhjetë personave të ngelur të zhdukur gjatë konfliktit dhe rekomandon që autoritetet të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme për 334 personat e zhvendosur brenda vendit, duke iu kushtuar një vëmendje urgjente 95 personave që vazhdojnë të jetojnë në qendra kolektive.

Duke mirëpritur masat e ndërmarra me qëllim përmirësimin e situatës së romëve, Komisioneri nënvizon se problemet serioze vazhdojnë. “Romët vazhdojnë të jenë të bllokuar në një cikël varfërie dhe papunësie, të banojnë në lagje të izoluara të cilat karakterizohen shpeshherë nga kushte jetese të papranueshme. Fëmijët romë janë të mbipërfaqësuar në shkollat për fëmijë me nevoja speciale. Kjo shtrin me tej përjashtimin e tyre dhe shkel të drejtat e tyre të njeriut. Të gjithë fëmijët duhet të kenë akses në arsimin e rregullt.”

Disa shqetësime lidhen gjithashtu me masat e miratuara për të kontrolluar emigracionin. “Nga dhjetori 2009 deri më nëntor 2012, rreth 7000 shtetas maqedonas, kryesisht romë, nuk janë lejuar të largohen nga vendi dhe u janë konfiskuar dokumentat e tyre të udhëtimit. Masa të tilla kufizojnë të drejtën e pranuar ndërkombëtarisht për t’u larguar nga një vend dhe minojnë të drejtën për të kërkuar azil. Në vend të penalizimit të njerëzve që përpiqen të ushtrojnë të drejtat e tyre të njeriut, autoritetet duhet të adresojnë më mirë shkaqet rrënjësore të varfërisë dhe të përjashtimit të cilat janë arsyet parësore që i shtyjnë individët të kërkojnë strehim jashtë vendit.”

Përsa i përket lustracionit, Komisioneri Muižnieks theksoi se ai nuk duhet përdorur kurrë për qëllime politike apo personale ose si një instrument për hakmarrje. “Një shtet demokratik ka mjete të mjaftueshme për të siguruar se drejtësia është zbatuar dhe se fajtorët janë ndëshkuar. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese mbi lustracionin duhet të respektohen plotësisht.”

Raporti përmban rekomandime të tjera, që përfshijnë zgjidhjen e situatës të mbi 1000 personave pa shtetësi, pajisjen e të gjithë romëve me dokumenta identiteti, si dhe luftën kundër diskriminimit.

Komentet e autoriteteve të “Ish-Republikësn Jugosllave të Maqedonisë” janë në dispozicion këtu.


Press contact in the Commissioner’s Office:
Stefano Montanari, +33 (0)6 61 14 70 37 ; stefano.montanari@coe.int

Keep up to date with the Commissioner on Twitter