Ndërkohë që Shqipëria përparon në tranzicionin drejt një demokracie të plotë, ngelen ende sfida në lidhje me forcimin e institucioneve demokratike dhe një process më të shpejtë decentralizimi. Duke besuar se për të pasur një qeverisje vendore më efektive dhe më të përgjigjshme në vend dhe në këtë mënyrë shërbime publike më cilësore ndaj qytetarëve shqiptarë, duhet të ketë struktura të forta të qeverisjes vendore dhe rajonale. Këshilli i Evropës, në bashkëpunim me Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim është duke zbatuar një program që synon të mbështesë prioritetet e Qeverisë Shqiptare drejt përmirësimit të decentralizimit.

Objektivi i përgjithshëm i programit është kontributi drejt forcimit të demokracisë vendore dhe ndërtimit të strukturave më të forta të qeverisjes vendore (të afta për të udhëhequr zhvillimin vendor dhe rajonal) në Shqipëri. Kjo do të arrihet duke mbështetur krijimin e kushteve për: i) qeverisje efektive dhe të përgjigjshme në nivel vendor dhe ii) aksesin e qytetarëve ndaj shërbimeve publike të përmirësuara dhe kushteve më të mira të jetesës në komunitetet e tyre.

Forcimi i strukturave të tilla mund të arrihet duke forcuar Bashkëpunimin Ndër-Komunal dhe duke zhvilluar Menaxhimin e Burimeve Njerëzore.

Komponenti i Bashkëpunimit Ndër-Komunal synon të mbështesë dhe të kontribuojë në përmirësimin e implementimit të BNK-së ndërmjet bashkive, komunave dhe qarqeve. Ai përfshin:

  • Një vlerësim kombëtar të situatës së BNK në Shqipëri, që në vijim të një analize të plotë të pyetësorëve të dërguar Njësive të Qeverisjes Vendore dhe rasteve studimore ekzistuese të BNK, ofron rekomandime për përmirësimin e kuadrit ligjor, institucional dhe financiar për zbatimin e BNK-së Shqipëri;
  • Ndërgjegjësimi e NJQV-ve në Shqipëri mbi nevojën për bashkëpunim me synim garantimin e shërbimeve më cilësore ndaj qytetarëve duke përdorur ekonomitë e shkallës;
  • Ndërtimi i kapaciteteve dhe transferimin e njohurive mbi BNK-në partnerëve lokalë, duke përfshirë bashkitë, komunat dhe qarqet, Ministrinë e Brendshme, Shoqatat e Qeverisjes Vendore dhe aktorëve të tjerë me një rol të rëndësishëm në nxitjen e BNK-së. Procesi i ndërtimit të kapaciteteve përfshin: krijimin e Grupit Kombëtar të Trajnuesve për BNKnë, pasuar nga trajnimet në nivelin vendor me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të NJQV-ve nga 12 qarqet e Shqipërisë;
  • Paketa e burimeve për BNK – Këshilli i Evropës në bashkëpunim me PNUD dhe Nismën e Qeverisjes Vendore kanë punuar bashkarisht për hartimin dhe lançimin në vitin 2009 të paketës së plotë mbi standartet ndërkombëtare, përfitimet dhe hapat për të ndërmarrë një BNK. “Libraria e BNK” përmban manualin e BNK, udhëzuesin e BNK, materiale trajnimi, raste studimore dhe fletëpalosjen e BNK. Raporti i vlerësimit të BNK-së në Shqipëri plotëson paketën e burimeve të BNK-së, të përkthyer dhe përshtatur në shqip për përdorim të NJQV-ve shqiptare.

 

Përmirësimi i Menaxhimit të Burimeve Njerëzore (MBNJ) në qeverisjen vendore në Shqipëri, bazuar në parimet e qeverisjes së mirë

Ndërtimi i kapaciteteve të administratës publike, rritja e qëndrueshmërisë, profesionalizmit dhe përgjegjshmërisë së stafit mbeten prioritetet kyçe të Qeverisë Shqiptare. Pavarësisht progresit të dukshëm, kryesisht në fushën e shërbimit publik, sipas vëzhguesve të brendshëm dhe ndërkombëtarë, mbetet ende shumë për të bërë për të siguruar një shërbim civil profesional. E njëjta situatë vërehet në nivelin e qeverisjes vendore, në veçanti sepse ekziston nevoja për të aplikuar praktika të caktuara të menaxhimit të burimeve njerëzore të bazuara në kuadrin ligjor dhe institucional. Praktikimi i mjeteve moderne të MBNJ në njësitë e qeverisjes vendore në Shqipëri duhet përmirësuar për të rritur cilësinë e shërbimit të ofruar komunitetit.

Komponenti i Menaxhimit të Burimeve Njerëzore synon të mbështesë dhe të kontribuojë në përmirësimin e praktikave të menaxhimit të burimeve njerëzore në nivelin vendor në Shqipëri, bazuar në një shërbim civil dhe administratë publike të pavarur, bazuar në sistemin e meritës, dhe profesionale në përputhje me praktikat e qeverisjes së mire. Ai përfshin:

  • Një vlerësim kombëtar të situatës aktuale të MBNJ në nivel vendor, bazuar në analizën e pyetësorëve të vlerësimit dërguar bashkive, komunave dhe qarqeve dhe një rasti studimor të thelluar me NJQV-të pilot që adreson nivelin e zbatimit të ligjit, procedurat e rekrutimit, vlerësimin e performancës, të mësuarit dhe zhvillimin, komunikimin e brendshëm si dhe rolin e njësive të MBNJ, organeve të zgjedhura dhe ekzekutive në vendosjen e standarteve institucionale dhe strukturave. Ky vlerësim ofron përfundime dhe rekomandime për përmirësimin e praktikave të MBNJ;
  • Asistencë direkte 17 NJQV-ve pilot (bashkive dhe komunave) për të vlerësuar situatën dhe angazhimin e tyre me MBNJ, për të sigururuar harmonizimin e strukturës organizative me misionin dhe vizionin institucional, si dhe përcaktimin e masave të mundshme korrigjuese dhe përmirësuese;
  • Zhvillimi i mjeteve të MBNJ dhe ndërtimi i kapaciteteve – Mbi bazën e vlerësimit kombëtar të MBNJ në nivel lokal dhe përvojës së fituar në njësitë pilot, projekti ka hartuar një set mjetesh moderne mbi MBNJ dhe ka investuar në ndërtimin e kapaciteteve duke organizuar forume kombëtare dhe trajnime të trajnuesve duke përfshirë përfaqësues të të zgjedhurve vendorë dhe stafit të nivelit të lartë përgjegjës për MBNJ nga 17 NJQV pilot, MB, DAP, dhe SHQV-të. Mjetet e MBNJ do të shpërndahen në nivelin kombëtar për të siguruar përdorimin e tyre në realitetin e çdo NJQV-je.

 

Hapa të mëtejshëm të mundshëm:

  • Bashkëpunimi Ndër-Komunal

Puna e bërë në kuadër të projektit ka përgatitur terrenin për të mbështetur Qeverinë Shqiptare në përmirësimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor, administrativ dhe financiar për të lehtësuar BNK-në. Rastet studimore të suksesshme do të përhapen në mënyrë që bashkitë dhe komunat të gjejnë tek to inspirim, dhe që autoritetet vendore në përgjithësi të përqafojnë kulturën e bashkëpunimit në Shqipëri. Mund të nevoijitet asistencë e mëtejshme për NJQV-të për t’u angazhuar në forma të BNKsë dhe projekte të përbashkëta të lidhura me të.

  • Menaxhimi i Burimeve Njerëzore

Duke shfrytëzuar arritjet aktuale të projektit dhe në pritje të miratimit të ligjit për Nëpunësit Civilë nga parlamenti, ka një mirëkuptim të gjerë që do të nevojitet asistencë si në nivelin vendor – në mbështetje të bashkive, komunave dhe qarqeve për implementimin e duhur të parimeve të MBNJ – ashtu dhe në nivelin qendror për përcaktimin e standarteve dhe hallkave të MBNJ dhe pasqyrimin e tyre në legjislacionin dhe procedurat e MBNJ. Për këtë qëllim, do të nevojitet mbështetje ndaj Institutit të Trajnimit të Administratës Publike (ITAP) dhe Komisionit të Shërbimit Civil (KSHC) në bashkëpunim të ngushtë me Departamentin e Administratës Publike (DAP). Do të jetë e rëndësishme të pilotohen standarte të reja dhe të ofrohen dhe shpërndahen praktika të mira nëpërmjet mekanizmave të duhura të shpërndarjes, në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha palët e interesuara.

BNK dhe MBNJ janë të ndërlidhura, duke siguruar një qasje të plotë, sistemike dhe shumëpalëshe për të mbështetur qeverisjen vendore të fortë dhe efektive nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit dhe performancës në nvelin vendor.

projekte të mëparshme
Kontakte

 +355 4 45 40 201

E-mail