Mbrojtja e pronës (Neni 1)

Në këtë nen parashikohet rregulli i përgjithshëm, i pasur nga dy rregulla specifike për mbrojtjen e pronës.

Rregulli i përgjithshëm: "Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën e gëzimit paqësor të pasurisë së tij”.

"Pasuritë" përfshijnë aksionet, patentat, licensat, qiratë dhe përfitimet e mirëqënies sociale (me kusht që ato të gëzohen nëpërmjet një të drejte ligjore, jo me diskrecion). Në shumë çështje që lidhen me shpronësimet e pasurive nën regjimet e mëparshme në Evropën Lindore, ka qenë themelore nëse e drejta e aplikuesit ka mbijetuar në të drejtën e brendshme; vetëm shpresa e kompensimit nuk është e mjaftueshme.

"Gëzimi paqësor" përfshin të drejtën e aksesit të pronës. Mund të ketë detyrime pozitive për shtetin për të mbrojtur gëzimin e të drejtave të pronësisë, për shembull, duke mirëmbajtur siç duhet instalimet e rrezikshme në afërsi të shtëpive.

Në rastin e ndërhyrjeve në të drejtat e pronësisë, të cilat nuk bien dukshëm nën njërin ose të dy rregullat specifike të parashikuara më poshtë, Gjykata ka zbatuar rregullin e përgjithshëm dhe ka futur në të “balancën e drejtë” ndërmjet interesit individual dhe interesit të përgjithshëm (shih më poshtë).

Rregulli i parë specifik: mohimi i pronës

Mohimi lejohet vetëm nëse ai është:

  • i ligjshëm;
  • në interes të publikut;
  • në përputhje me parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare;
  • në mënyrë të arsyeshme përpjesëtimore (testi i "balancës së drejtë").

Shtetet kanë diskrecion të gjerë lidhur me atë çfarë është "në interes të publikut". Me kusht që të ndiqet një qëllim legjitim për shembull, për drejtësinë sociale, është e pranueshme që disa njerëz të përfitojnë e disa të tjerë të humbasin.

"Testi i balancës të drejtë" i zbatuar nga Gjykata është më pak i ngurtë sesa testi “i nevojshëm për një shoqëri demokratike”, i parashikuar në nenin 8 deri në nenin 11 të Konventës. Ai u kërkon shteteve të tregojnë që kanë gjetur një balancë të drejtë ndërmjet të drejtave të personit dhe interesit publik. Kjo gjë nuk arrihet në rast se individit (ose kompanisë) i duhet të mbajë një barrë të tepërt, ose kur ai/ajo nuk ka mjete procedurale, ose pak masa procedurale për të kundërshtuar mohimin.

Rregulli i dytë specifik: Kontrolli i pronës

Mbështetur në paragrafin 2, shtetet mund "të kontrollojnë përdorimin e pronës në përputhje me interesin e përgjithshëm, ose për të siguruar pagimin e taksave, të kontributeve të tjera, ose të vendimeve të ligjshme të marra ".
Kontrollet mund të përfshijnë, për shembull:

  • sekuestrimin ose konfiskimin e pronave nga gjykatat, ose të të ardhurave nga oficerët e doganave;
  • kërkesat për përdorimin e pronës në një mënyrë specifike, të tilla si planifikimi ose kontrolli i qirave;
  • heqjen e një license; për shembull heqjen e një license për të shitur pije alkoolike.

Kontrolli duhe të jetë:

  • i ligjshëm;
  • në interes të përgjithshëm, ose për të siguruar pagimin e taksave ose gjobave;
  • që respekton "balancën e drejtë".

Mbështetur në këtë rregull, diskrecioni i shtetit është edhe më i madh se në rregullin e parë: ligjet që mund të zbatojë shteti për të kontrolluar përdorimin e pronës janë ato që ai "i konsideron të nevojshme" për atë qëllim. Aplikantët duhet të dëshmojnë që atyre u është kërkuar të mbajnë një barrë të tepërt, si në rastin kur një skemë kontrolli qirash në fuqi për 11 vjet kishte imponuar detyrime shumë të rënda për pronarët privatë (Hutten-Czapska v. Poland).

Detyrat e zyrtarëve publikë

Veprimet për konfiskimin ose ndërhyrje të tjera në të drejtat e pronësisë merren zakonisht nga vendimmarrësit, zyrtarët e lartë dhe gjykatat, por kompetenca në këtë fushë mund të kenë dhe oficerët e doganave, oficerët e mbledhjes së të ardhurave, autoritetet licensuese, oficerët e kontrollit të qirave, si dhe zyrtarë të tjerë publikë. Ata duhet të sigurohen që:

  • kanë bazë ligjore për masat e tyre;
  • veprimi ndjek një interes publik;
  • krijon një balancë të drejtë ndërmjet interesit të individit dhe interesit të përgjithshëm.

E drejta për arsim (Neni 2)

"Askujt nuk mund t’i mohohet e drejta për arsim", e cila në parim është e drejta për të pasur akses në arsim, siç është zotuar shteti ta ofrojë dhe siç ajo rregullohet nga ky shtet. Rregulloret munden, për shembull, ta bëjnë arsimin të detyrueshëm deri në një moshë të caktuar, mund të lejojnë (ose ndalojnë) shkollimin në shkolla, dhe mund t’u lejojnë shkollave të përjashtojnë nxënësit e pabindur. Neni nuk kërkon një sistem të veçantë arsimi, dhe aq më pak kërkon akses në një shkollë të veçantë. Ai është neutral lidhur me arsimin publik dhe privat dhe është interpretuar që garanton lirinë për të hapur shkolla private.

Arsimi i ofruar, qoftë publik ose privat, duhet të respektojë fenë dhe besimet filozofike të prindërve. Por, për aq kohë sa kurrikula dhe shkollimi janë objektive dhe pluraliste, fakti që ato mund të bien ndesh me besimet e disa prindërve nuk përbën shkelje.

E drejta për zgjedhje të lira (Neni 3)

Më shumë sesa bën vlerësimin e të drejtave, ky nen i detyron shtetet "të organizojnë në intervale të arsyeshme kohore, zgjedhje të lira me votim të fshehtë, në kushte që sigurojnë shprehjen e lirë të mendimit të popullit për zgjedhjen e organit ligjvënës". Por, Gjykata ka nxjerrë nga ky detyrim të drejtën për të votuar dhe të drejtën për t’u zgjedhur.

Neni nuk kërkon një sistem të caktuar zgjedhor. Shtetet kanë të drejta të gjera lidhur me mënyrën sesi i organizojnë zgjedhjet, përfshirë dhe kushtet që duhet të plotësohen nga kandidatët për postet përkatëse. Megjithatë, parimi i votimit universal është shumë i fortë dhe shteteve u kërkohet në mënyrë shumë strikte të justifikojnë humbjen e votës nga individë ose kategori të caktuara personash, si për shembull, të burgosurit.

Download the abstract

  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page