Kjo është një dispozitë procedurale, e cila garanton të drejtën e çdo personi, organizate joqeveritare ose grupi individësh që pretendojnë të jenë viktima të shkeljes së një të drejte të parashikuar në Konventë ose në Protokollet e saj të çojë një çështje pëpara Gjykatës. Togfjalëshi "çdo person" përfshin dhe personat me probleme mendore dhe të miturit. Kjo dispozitë përban një detyrim thelbësor për shtetet "për të mos penguar në asnjë mënyrë ushtrimin efektiv të kësaj të drejte". Kjo është posaçërisht e rëndësishme në rastin e individëve që u është mohuar liria. Atyre nuk u duhet vendosur asnjë pengesë për t’ju drejtuar Gjykatës.

Gjykata mund t’i kërkojë shtetit të paditur të marrë masa të ndërmjetme, të cilat duhet të merren prej tij për të ruajtur pozicionin aktual, përfshirë dhe mundësinë e aplikuesit për të ushtruar efektivisht të drejtën për aplikim individual, në pritje të vendimit të çështjes nga Gjykata. Ajo e bën këtë gjë vetëm kur është e mendimit se ekziston një rrezik real për dëm të rëndë, të pariparueshëm në rast se nuk zbatohet masa. Pra, masat e ndërmjetme janë të ngjashme me urdhërat e ndërmjetëm të gjykatave kombëtare. Shtetet kanë normalisht detyrimin t’i përmbushin këto të drejta. Ato më shpesh lëshohen kur një aplikant kundërshton dëbimin ose ekstradimin me arsyetimin që rrezikon të keqtrajtohet në shtetin e destinacionit. Në rast se një shtet nuk e zbaton masën e ndërmjetme të urdhëruar nga Gjykata, si për shembull, pavarësisht nga masa, ta dëbojë personin në një shtet tjetër, kjo mund të çojë në shkelje të detyrimit të parashikuar në nenin 34.

Download the abstract

  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page