Askujt nuk mund t’i merret jeta qëllimisht …”. Më pas, i njëjti nen vijon me përjashtimin nga kjo e drejtë të vendimeve gjyqësore me vdekje, përjashtim i cili nuk aplikohet për shtetet që janë palë në Protokollin nr. 6 (i cili e heq këtë përjashtim, përveçse kur parashikohet ndryshe nga e drejta e brendshme e shtetit në kohë lufte), ose në Protokollin nr. 13 (i cili e heq fare këtë përjashtim). Paragrafi 2 parashikon tre përjashtime të kufizuara për marrjen e qëllimshme të jetës.

Gjykata ka konstatuar se detyrimi pozitiv për shtetet dhe agjentët e tyre për të mbrojtur jetën kërkon masa parandaluese në shumë situata, për shembull:

  • Mbrojtja e dikujt nga dhuna e ushtruar prej të tjerëve, por vetëm kur autoritetet kanë qenë në dijeni ose duhet të kishin qenë në dijeni të një rreziku real dhe të menjëhershëm dhe kanë dështuar të bëjnë gjithçka që mund të pritej në mënyrë të arsyeshme të bëhej prej tyre për të shmangur situatën. Për shembull, detyrimi shkelet kur një person i ndaluar në paraburgim vritet nga shoku i qelisë, nga një i ndaluar tjetër me histori dhune dhe sëmundje mendore (Edwards v. the United Kingdom). Ky detyrim mund të dalë dhe kur ka histori të dhunës në familje;
  • për të mbrojtur në mënyrë efektive jetën e dikujt nën kontrollin tuaj;
  • për të mbrojtur dikë nga vetëdëmtimi, për shembull kur të ndaluarit dihet që shfaqin rrezik për vetëvrasje;
  • për të mbrojtur personat që jetojnë në afërsi të vendeve të rrezikshme, si në rastet kur ndodh një shpërthim vdekjeprurës në një vend depozitimi për mbeturinat që dihej që përbënte rrezik operativ (Öneryıldız v. Turkey), ose për të mbrojtur njerëzit kundër fatkeqësive të parashikueshme natyrore.

Pra, detyrimi për mbrojtjen e jetës nuk nënkupton vetëm miratimin e ligjeve, si, për shembull, parashikimin si vepër penale të vrasjes së paligjshme. Ai shtrihet më tej për të mbrojtur dëshmitarët dhe informatorët, dhe për personat që drejtojnë burgjet, qendrat e paraburgimit, shtëpitë e kujdesit dhe institucionet psikiatrike duke i mbrojtur personat nën kujdesin e tyre nga dëmtimet vdekjeprurëse nga persona të tjerë, ose nga vetja.

Përdorimi i forcёs vdekjeprurëse nga agjentёt e shtetit: paragrafi 2 parashikon situatat e kufizuara në të cilat forca vdekjeprurëse nuk përbën shkelje të së drejtës për mosprivim të qëllimshëm të jetës. Këto përjashtime janë:

  • (a) mbrojtja e dikujt nga dhuna e paligjshme;
  • (b) realizimi i një arrestimi të ligjshëm, ose parandalimi i largimit nga burgu për dikë që është ndaluar në mënyrë të rregullt;
  • (c) veprime të ligjshme për të shtypur një trazirë ose kryengritje.

Këto janë përjashtime shterruese, jo ilustrime. Shteti duhet të përmbushë një test shumë të lartë përpara se t’i drejtohet forcёs vdekjeprurëse: këto masa duhet të jenë absolutisht të nevojshme për të arritur një ose më shumë qëllime të autorizuara dhe në mënyrë strikte në përpjestim me qëllimin. Nuk mjafton që të peshohet e drejta individuale përkundrejt interesit të publikut. Për shëmbull, gjuajtja 50 herë me armë gjatë mësymjes së shtëpisë së një personi të dyshuar për terrorizëm u vlerësua si masë përtej vetëmbrojtjes së justifikuar për oficerët e policisë të përfshirë në operacion (Gül v. Turkey, 2000).

Detyrimet procedurale për hetimin e vdekjeve: këto detyrime janë prezantuar nga Gjykata nëpërmjet jurisprudencës së saj. Hetimi duhet të vihet automatikisht në lëvizje nga autoritetet. Ai duhet të kryhet në mënyrë të menjëhershme, me efektivitet dhe publikisht, dhe në mënyrë të pavarur nga agjencia që ka përdorur forcën vdekjeprurëse. Po ashtu, kërkohen hetime dhe kur ndodhin vdekje si rezultat i akteve të individëve privatë. Përgjegjësia për këto hetime merret normalisht nga nivelet e larta, por zyrtarët e përfshirë në nivelin e punës konkrete duhet të përgatiten për këtë përgjegjësi, për shembull, duke mbajtur shënim informacionin e marrë që tregon një rrezik ndaj jetës, ose detaje të vëzhgimit në rastet e rreziqeve për vetëvrasje në paraburgim, etj., dhe duhet të bashkëpunojnë plotësisht dhe ndershmërisht me çdo hetim, i cili, në të kundërt, mund të bjerë nën stadardet e kërkuara nga Konventa.

E drejta për jetën mund të ngrihet dhe në rastet e dëbimit dhe ekstradimit në rast se një person duhet të dërgohet në një shtet ku ekziston një rrezik real për t’u bërë objekt i dënimit me vdekje. Vendimet për dëbimet ose ekstradimet merret normalisht nga gykatat dhe ministritë, por oficerët e migracionit dhe persona të tjerë të përfshirë në to duhet të jenë të ndërgjegjshëm për mundësinë dhe të konsultohen përpara se të dërgojnë një imigrat potencial në një shtet tjetër, ku ai mund të gjendet përpara këtij rreziku.

PROTOKOLLI Nr. 6 DHE Nr. 13

Heqja e dënimit me vdekje

Protokolli nr. 6 e heq dënimin me vdekje në kohë paqeje, por u lejon shteteve ta vendosin atë në kohë lufte ose kërcënimi për luftë. Protokolli Nr. 13 shkon më tej dhe e heq fare dënimin me vdekje.

Download the abstract

  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page