URL: http://www.coe.int/en/web/cpt/about-the-cpt_AL

KPT-ja shkurtimisht

 "KPT-ja shkurtimisht

 Konventa europiane për parandalimin e torturës dhe dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese

 Normat e KPT-së


Parandalimi i keqtrajtimit të personave që u është mohuar liria në Evropë

KPT-ja organizon vizita në vendet e ndalimit për të vlerësuar trajtimin e personave të cilëve u është mohuar liria. Këto vende përfshijnë burgjet, vendet e ndalimit për të rinjtë, rajonet e policisë, qëndrat e ndalimit për imigrantë, spitalet psikiatrike, shtëpitë e kujdesit social, etj.

Delegacionet e KPT-së kanë akses të pakufizuar në vendet e ndalimit dhe gëzojnë të drejtën e lëvizjes brenda këtyre ambienteve pa kufizim. Ata intervistojnë privatisht personat të cilëve u është mohuar liria dhe komunikojnë lirshëm me çdokënd që mund të japë informacion.

Pas çdo vizite, KPT-ja i dërgon një raport të detajuar shtetit përkatës. Ky raport përfshin informacionin e mbledhur nga KPT-ja si dhe rekomandimet, komentet dhe kërkesat e saj për informacion. KPT-ja kërkon dhe një përgjigje të detajuar për çështjet që ngrihen në raport. Raportet dhe përgjigjet janë pjesë e dialogut të vazhdueshëm me shtetet përkatëse.

Emri i plotë i KPT-së është “Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Dënimit Çnjerëzor ose Degradues”. Këtu theksohen dy tipare të rëndësishme: së pari, është organ evropian, dhe së dyti, mbulon jo vetëm “torturën”, por dhe një gamë të gjerë situatash të cilat mund të çojnë në “trajtim ose dënim çnjerëzor ose degradues”.

Vizitat

Vizitat kryhen nga delegacionet, të cilat zakonisht përbëhen nga disa anëtarë të KPT-së, të shoqëruar nga anëtarë të stafit të Sekretariatit të Komitetit dhe, nëse është e nevojshme, edhe nga ekspertë si dhe nga përkthyes.  

Delegacionet e KPT-së kryejnë vizita në mënyrë periodike (në përgjithësi një herë në katër vjet), por kur është e nevojshme organizohen edhe vizita shtesë “ad hoc”.

Komiteti duhet të njoftojë shtetin përkatës që ka në plan të kryejë një vizitë. Pas këtij njoftimi, delegacioni i KPT-së mund të shkojë në çdo vend ku qëndrojnë personat të cilëve u është mohuar liria, në çdo kohë dhe pa njoftuar.

Bashkëpunimi dhe konfidencialiteti

Parimet e bashkëpunimit dhe konfidencialitetit mishërohen në Konventën ndërkombëtare mbi bazen e së cilës është krijuar KPT-ja.

  • Bashkëpunimi me autoritetet kombëtare është në qëndër të punës së KPT-së,  pasi qëllimi është mbrojtja e personave të cilëve u është mohuar liria dhe jo dënimi i shteteve për abuzimet.
  • Konfidencialiteti është një tjetër karakteristike e punës së KPT-së: informacioni i mbledhur nga Komiteti, raportet e tij dhe përgjigjet e qeverive janë në parim konfidenciale. Pavarësisht nga kjo, një pjesë e mirë e informacionit rreth punës së KPT-së është në sferën publike.

Botimet

  • Vetë shteti mund të kërkojë botimin e raportit të KPT-së, së bashku me përgjigjen e tij. Deri tani, pjesa më e madhe e shteteve kanë kërkuar t’i botojnë këto dokumente.  
  • Nëse një shtet nuk bashkëpunon ose refuzon të përmirësoje situatën në përputhje me rekomandimet e KPT-së, Komiteti mund të vendosë të bëjë një deklaratë publike.
  • KPT-ja përpilon gjithashtu raportin e përgjithshëm mbi aktivitetet e saj, i cili botohet një herë në vit.

Struktura e KPT-së

  • Anëtarët e KPT-së janë ekspertë të pavarur dhe të paanshëm dhe vijnë nga përvoja të ndryshme ku përfshihen juristë, mjekë si dhe specialistë në fushën e burgjeve ose të policisë.  
  • Për çdo shtet palë zgjidhet një anëtar nga Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës. Anëtarët veprojne në kapacitetin e tyre individual (d.m.th. ata nuk përfaqësojnë shtetin nga i cili janë zgjedhur). Për të garantuar më tej pavarësinë e tyre, anëtarët nuk vizitojnë Shtetin nga i cili janë zgjedhur.
  • Sekretariati i KPT-ës është pjesë e Këshillit të Evropës.

Historiku

  • KPT-ja është krijuar në bazë të “Konventës Evropiane për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Dënimit Çnjerëzor dhe Degradues” të Këshillit të Evropës, e cila ka hyrë në fuqi në vitin 1989.
  • Ajo bazohet në Nenin 3 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila përcakton që “askush nuk duhet të jetë objekt torture ose trajtimi ose dënimi çnjerëzor ose degradues”.
  • KPT-ja nuk është një organ hetimor, por ofron një mekanizem parandalues jo-gjyqësor për mbrojtjen e personave që u është mohuar liria nga tortura dhe forma të tjera të keqtrajtimit. Në këtë mënyrë, KPT-ja plotëson punën gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Ratifikimet

  • Konventa është ratifikuar nga të 47 shtetet anëtare të Këshillit të Evropës.
  • Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës mund të ftojë shtete jo anëtare të Organizatës për t’u bërë pjesë e Konventës.