Etërit themelues


“Etërit themelues”

 

 


image fondateurs

Këta themelues të Evropës ishin njerëzit që filluan procesin e ndërtimit të Evropës nëpërmjet krijimit të Këshillit të Evropës në vitin 1949 dhe ngritjes së Komitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut (KEQÇ) në 1950 dhe Komunitetin Ekonomik Evropian (KEE) në 1957. Këta njerëz të dialogut, që kishin kaluar dy luftëra botërore dhe njihnin nga afër shumë prej kulturave evropiane, ishin pionerët e një Evrope të paqes, të bazuar tek vlerat e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

 

Winston Churchill

Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar

12 gusht1949, Strasburg

quote 1Rreziqet që na kanosen janë të mëdha, por e madhe është edhe forca jonë, ndaj nuk ka asnjë arsye që të mos arrijmë të realizojmë qëllimin dhe të ngremë një strukturë të kësaj Evrope të bashkuar me koncepte morale që do të pranohen dhe respektohen nga njerëzimi dhe me një forcë fizike të tillë që askush s’do të guxojë ta pengojë në marshimin e saj paqësor drejt së ardhmes.quote 2

Fjalimi i tij:

Vëmendje! Do të flas në frëngjisht!

Në këtë qytet të lashtë, ende të shenjuar nga plagët e luftës, jemi mbledhur për të formuar një Asamble që ne shpresojmë të jetë një ditë Parlamenti i Evropës. Kemi bërë hapin e parë dhe është hapi i parë që ka rëndësi. Këta qytetarë të mrekullueshëm të Strasburgut janë thirrur nga Lëvizja Evropiane për t’i treguar botës se ç’forcë ka ideja e Evropës së Bashkuar, ç’fuqi ka ajo, jo vetëm në shpirtin e mendimtarëve politikë, por edhe në zemrat e masave të gjera popullore, në të gjitha vendet e Evropës ku popujt janë të lirë të shprehin opinionin e tyre.

Kjo më jep zemër, por jam i befasuar kur shoh se ç’rezultate të shkëlqyera janë arritur në kaq pak kohë. Nuk ka më shumë se një vit që, në Kongresin tonë në Hagë, ne kemi krijuar një Asamble Evropiane. Duhej të mobilizohej opinioni publik për të bindur qeveri të fuqishme që t’i shndërronin kërkesat tona në realitet. Duhej të kapërceheshin ngurrime serioze.

Por ne kemi gjithashtu nga ana jonë, shumë miq të kësaj kauze të madhe të Evropës dhe, midis tyre, miq që kishin poste ministrash. Asnjë nga këta miq nuk ka bërë më shumë për Lëvizjen Evropiane se Zoti Spaak që qysh prej shume kohësh ka qenë mbrojtësi i zjarrtë i idesë së një Parlamenti Evropian,dhe që sot, këtu, në këtë qytet, u zgjodh me unanimitet si Presidenti i parë i tij.

Ne jemi mbledhur këtu, në këtë Asamble të re, jo si përfaqësues të vendeve tona të ndryshme apo të partive politike të ndryshme, por si evropianë, duke ecur përpara, dorë për dore dhe nëse do të duhet krah për krah për t’u dhënë jetë lavdive të dikurshme të Evropës dhe për t’i mundësuar këtij kontinenti të famshëm të rimarrë në një organizatë ndërkombëtare, vendin e vet si anëtar i pavarur që plotëson nevojat e tij. Ajo besnikëri e parë dhe e shenjtë që ia detyrojmë vendit tonë, nuk është vështirë të pajtohet me këtë ndjenjë më të gjerë të vëllazërisë evropiane. Përkundrazi, do të konstatojmë se të gjitha interesat legjitime përputhen në mënyrë harmonike dhe secili nga ne do t’u shërbejë më së miri interesave reale dhe sigurisë së vendit të vet nëse e zgjerojmë ndjenjën tonë të qytetarisë dhe të sovranitetit të përbashkët. Dhe nëse përfshijmë në këtë ndjenjë të gjithë këtë kontinent shtetesh dhe kombesh që kanë të njëjtën mënyrë jetese Këto parime që na udhëheqin janë përcaktuar nga Kushtetuta e Kombeve të Bashkuara, ku Evropa duhet të jetë një element i fuqishëm dhe drejtues; këto parime janë formuluar gjithashtu, në terma të përgjithshme, në Deklaratën e të Drejtave të Njeriut të shpalluara nga Kombet e Bashkuara në Gjenevë. Kështu, ne jo vetëm do të gjejmë rrugën e rilindjes dhe të prosperitetit të Evropës, por në të njëjtën kohë do të mbrohemi vetë kundër çdo rreziku për t’u nëpërkëmbur ose për t’u shtypur nga çdo lloj forme tiranie totalitare, qoftë ky sundimi i urryer nazist që ne e fshimë nga faqja e dheut ose çdo formë tjetër despotizmi.

Sa për mua, unë nuk jam armik i asnjë race dhe asnjë kombi të botës. Ne nuk jemi bashkuar kundër ndonjë race, as kundër ndonjë kombi. Ne ngrihemi me vendosmëri kundër tiranisë në të gjitha format të vjetra dhe të reja. Tirania mbetet gjithmonë e njëjtë, pavarësisht nga premtimet e rreme, emri që merr apo petku nën të cilin fsheh shërbëtorët e vet.

Por nëse duam të fitojmë shpërblimin tonë më të lartë, ne duhet t’i kalojmë të gjitha pengesat dhe të bëhemi zotër të vetvetes. Duhet të ngrihemi mbi këto pasione që kanë shkatërruar Evropën dhe e kthyen në rrënoja. Duhet t’u japim fund grindjeve tona të vjetra, duhet të heqim dorë nga ambiciet territoriale, duhet t’i kthejmë rivalitetet tona kombëtare në një garë krijuese në të gjitha fushat ku mund t’i shërbejmë me të vërtetë kauzës sonë të përbashkët.

Përveç kësaj, ne duhet të marrim të gjitha masat e nevojshme për të qenë të sigurtë se do të kemi fuqinë dhe kohën e duhur për të realizuar këtë shndërrim të Evropës në të cilin Asambleja Evropiane e mbledhur realisht tani në Strasburg, duhet të luajë një rol të rëndësishëm . Ajo do të mund ta luajë këtë rol vetëm nëse zotëron cilësitë e mendjekthjelltësisë, tolerancës, pavarësisë dhe sidomos guximit, pa të cilat asgjë e rëndësishme nuk bëhet në këtë botë.

Dhe për ta mbyllur, unë kërkoj ndihmën e këtij grumbullimi të madh të qytetarëve të Strasburgut ; ju bëni pjesë në ato masa të mëdha njerëzish që ne përfaqësojmë dhe ndaj të cilëve ne kemi detyrimin t’u mbrojmë të drejtat dhe interesat. Në Evropë ka, nga të dyja anët e perdes së hekurt, miliona familje të thjeshta zemra e të cilave është me ne. A do t’u jepet atyre mundësia për t’u zhvilluar e për të ecur përpara ? A do të jetojnë ata ndonjëherë të sigurtë ? A do të mundin ata të gëzojnë ndonjëherë liritë dhe kënaqësitë e thjeshta që zoti dhe natyra u kanë falur ? A do të mund ndonjëherë të mbledhë frytet e punës së vet njeriu që fiton bukën e tij ndershmërisht ? A do të mund ai të rrisë fëmijë të shëndetshëm, të lumtur me shpresën se ditë më të mira do të vijnë ? A do të çlirohet ai ndonjëherë nga frika, frika nga pushtimi i huaj, frika nga shpërthimi i bombave dhe predhave, frika nga hapi i rëndë i patrullave armike dhe sidomos dhe kjo është më e keqja, frika nga trokitjet në derë të policisë politike që vjen t’u marrë babain ose vëllain pa asnjë mbrojtje normale nga ligji dhe drejtësia – ndërsa çdo ditë, me një përpjekje të vetme spontane të vullnetit, ky njeri, ky evropian mund të zgjohet nga ky makth dhe të ngrihet i lirë dhe burrëror në dritën e fortë të ditës ?

Në historinë tonë të gjatë, ne kemi triumfuar mbi rreziqet e luftëtrave fetare dhe luftërave dinastike; pas tridhjetë vjet luftë unë kam besim se ne kemi arritur në fund të luftërave nacionaliste. Pas të gjitha fitoreve dhe vuajtjeve tona, a do të biem tani në një kaos të fundit, në luftëra ideologjike që shkaktojnë midis nesh oligarkitë barbare dhe kriminale, të përgatitura nga agjitatorët e kolonës së pestë të cilët infiltrohen dhe konspirojnë në shumë vende ?

Jo, unë jam i sigurt se ne e kemi në dorë, nëse duam, t’i kapërcejmë rreziqet që qëndrojnë para nesh. Shpresat dhe puna jonë priren për nga një epokë paqeje, prosperiteti dhe lulëzimi ku pasuria e pashtershme dhe shpirti i Evropës do ta bëjnë atë, edhe një herë, burim të frymëzimit të jetës. Në të gjithë këtë, ne përparojmë me ndihmën e Republikës së fuqishme, përtej Atlantikut, dhe të shteteve sovrane që janë anëtare të perandorisë dhe të Commonwealth-it dhe kombeve britanike. Rreziqet që na kanosen janë të mëdha, por e madhe është edhe forca jonë ndaj nuk ka asnjë arsye që të mos arrijmë të realizojmë qëllimin dhe të ngremë një strukturë të kësaj Evrope të bashkuar me koncepte morale që do të pranohen dhe respektohen nga njerëzimi dhe me një fuqi fizike të tillë që askush s’do të guxojë ta pengojë në marshimin e saj paqësor drejt së ardhmes.

 

Konrad Adenauer

Kancelar dhe Ministër i Jashtëm i Republikën Federale të Gjermanisë

10 dhjetor 1951

quote 1Është gjithashtu shumë domethënës fakti që ka këtu një qendër ku mblidhet pothuaj e gjithë Evropaquote 2

Fjalimi i tij:

Është shumë e rëndësishme për zhvillimin e Evropës që bashkë me institucionet e Këshillit të Evropës, është krijuar një platformë mbi të cilën përfaqësuesit e kontinentit tonë takohen rregullisht për të shfaqur shqetësimet e tyre kryesore, dëshirat dhe shpresat e tyre dhe për të përgatitur kriteret e përbashkëta që mundësojnë vlerësimin e nevojave të tyre dhe bashkëpunimin në një frymë sinqeriteti dhe fqinjësie të mirë. Me fjalë të tjera ne gjejmë këtu një shprehje të ndërgjegjes evropiane. Është gjithashtu shumë domethënës fakti që ka këtu një qendër ku mblidhet pothuaj e gjithë Evropa, pavarësisht se cilat mund të jenë ngjyresat e ndryshme të konceptimit të përpjekjeve tona për të realizuar një bashkëpunim më të ngushtë të bashkësisë sonë.

Në çdo vend, politika evropiane do të marrë nxitjet nga vullneti i përbashkët i popujve evropianë, por ky vullnet nuk shfaqet askund aq qartë, si vullnet i përbashkët, sesa në gjirin e Këshilllit të Evropës.

 

Robert Schuman

Ministër i Jashtëm i Republikës së Francës

10 dhjetor1951

quote 1Këshilli i Evropës, në fakt, është laboratori ku përgatitet dhe eksperimentohet bashkëpunimi evropianquote 2

Fjalimi i tij:

Këshilli i Evropës, në fakt, është laboratori ku përgatitet dhe eksperimentohet bashkëpunimi evropian, duke pritur që ai të shndërrohet vetë në një institucion organik të bashkësisë. Ne jemi ende në stadin e zhgënjimeve fillestare dhe dështimeve të dukshme që nuk e pranojnë kurrë shkurajimin, por që ndonjëherë justifikojnë një padurim të dobishëm. Ashtu si ligjet e natyrës, idetë e vërteta më në fund pranohen dhe përdoren. Paaftësitë tona, mungesa e kurajës dhe pasionet tona janë përgjegjëse për vonesën e zbulimit dhe zbatimin e tyre.

Do të ishte sa e padrejtë, aq edhe e rrezikshme të nënvleftësoheshin vështirësitë e integrimit të Evropës. Për të pasur sukses, do të na duhej shumë këmbëngulje dhe durim, dhe të paktën po aq brenda vendeve tona sa edhe në negociatat midis qeverive. Por cilido qoftë rezultati që ne do të arrijmë, problemi i unifikimit politik të Evropës është shtruar tashmë. Tani ai nuk mund të anashkalohet. Nëse tani ne do të ishim të paaftë ta zgjidhnim për shkak të mëdyshjeve tona, ngjarjet dhe aspiratat e popujve tanë do të na i shkulnin me forcë vendimet e duhura. Nëse nuk do të vendosim në kohë, Zonja dhe Zotërinj, rrezikojmë të humbim për Evropën dhe për vendin tonë, mundësinë e fundit për të shpëtuar.

 

Paul-Henri Spaak

Kryeministër dhe Ministër i Jashtëm i Belgjikës nga viti 1940 deri në vitin 1950

15 maj 1962

quote 1Sepse këtu mblidhet Evropa e tërë dhe sepse ka çaste kur, si sot, problemet […] duhet të shqyrtohen nga të gjitha vendet evropianequote 2

Fjalimi i tij:

Zoti kryetar. Zonja dhe Zotërinj, më lejoni së pari të shpreh kënaqësinë time që ndodhem sot në këtë tribunë. Kënaqësi e veshur disi me emocion kur mendoj për gjithë çka ngjarë në këtë Asamble, për gjithë ato debate ku kam marrë pjesë, për sukseset që kemi pasur dhe për humbjet që kemi pësuar. Ka shumë kohë që nuk kam ardhur këtu, dhe më kanë thënë se ndonjëherë Asambleja ka qenë disi e shkurajuar, duke vënë në dyshim dobinë e saj.

Zotërinj, ndoshta do të ishte mungesë modestie t’ju thosha se prania ime sot sidoqoftë provon se një numër i caktuar ministrash ruan besimin në këtë organizatë dhe çmon se Asambleja do të duhej të përdorej më shumë dhe më mirë se ç’është bërë në të shkuarën. Në fakt, sa për mua, unë kisha mundësi të zgjidhja midis shumë organizatash dhe do të mund të flisja në një asamble tjetër. Po unë zgjodha këtë, pse? Sepse ajo ka misionin e saj, sepse këtu mblidhet Evropa e tërë dhe sepse ka çaste kur, si sot, problemet e kalojnë kuadrin e gjashtë vendeve dhe duhet të shqyrtohen nga të gjitha vendet evropiane

 

Alcide de Gasperi

Kryeministër i Republikës së Italisë

10 dhjetor 1951

quote 1Asnjëherë nuk duhet vepruar dhe ndërtuar në mënyrë të tillë që përfundimi i arritur të mos jetë i qartë, i përcaktuar dhe i garantuarquote 2

Fjalimi i tij:

Nëse ne ndërtojmë vetëm administrata të përbashkëta, pa pasur një vullnet politik të lartë, të kontrolluar nga një organizëm qendror, në të cilin vullnetet kombëtare të bashkohen, të saktësohen dhe të marrin jetë në një sintezë më të lartë, ne rrezikojmë që ky aktivitet evropian i krahasuar me vitalitetet kombëtare të veçanta, të duket pa zjarr, pa jetë, pa shpirt; madje hera-herës ai mund të ngjajë si ca takëme të tepërta dhe disi mbytëse, si Perandoria e shenjtë Romake në disa periudha të perëndimit të saj. Në këtë rast, brezat e rinj, duke dëgjuar thirrjen e zjarrtë të gjakut dhe të atdheut të tyre , do ta shikonin ndërtimin evropian si një instrument shtrëngues dhe shtypës. Në këtë rast rreziku i kthimit mbrapa është i qartë.

Ja përse, duke qenë shumë të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e ndërtimit gradual, ne mendojmë se asnjëherë nuk duhet vepruar dhe ndërtuar në mënyrë të tillë që përfundimi i arritur të mos jetë i qartë, i përcaktuar dhe i garantuar. Unë e di mirë se ky ideal ende nuk është rrënjosur mirë te njerëzit: vetëm një pjesë e njerëzve politikë, mendimtarëve dhe idealistëve mund të shkëputen nga shqetësimet e tyre të përditshme për rindërtimin e vendit për t’i drejtuar përpjekjet e tyre në përgatitjen e një të ardhmeje të përbashkët. Ju bëni pjesë në këta njerëz, Zotërinj përfaqësues, përmes mandatit të cilin ju e keni marrë nga kolegët tuaj, të zgjedhur sikurse ju nga populli.

 

Ernest Bevin

Ministër i Jashtëm i Mbretësrisë së Bashkuar

5 maj 1949

quote 1Sot ne jemi dëshmitarë, për herë të parë, në kontinentin tonë të vjetër të lindjes së një institucioni demokratikquote 2

Fjalimi i tij:

Zotërinj, jemi mbledhur në këtë ditë të paharruar për të nënshkruar Statutin e Këshillit të Evropës dhe marrëveshjen që lidhet me krijimin e komisionit përgatitor. Siç e thanë dhe kolegët e mi, ky moment është me të vërtetë historik. Ky Statut që ne po nënshkruajmë është fryt i shumë muajve negociatash miqësore midis dhjetë vendeve të mëdha të Evropës perëndimore. Projekti mori formë në Paris, gjatë diskutimeve që u zhvilluan në fund të vitit të shkuar nën presidencën e burrit të shquar të shtetit, z. Herriot, dhe u përpunua më tej në Londër nga përfaqësuesit diplomatikë të dhjetë vendeve. Ai po gjen sot formën e tij përfundimtare në këtë traktat që i hap rrugën shpresës për një jetë të re në Evropë. Për herë të parë ne jemi dëshmitarë të lindjes në kontinentin tonë të vjetër të një institucioni demokratik