Pallati i Evropës

I konceptuar nga arkitekti francez Henry Bernard dhe i përuruar në 1977, Pallati i Evropës është ndërtesa kryesore e Këshillit të Evropës. Pallati me hyrjen ku rreshtohen në të dy anët flamurët e të gjitha shteteve anëtare, jep përshtypjen e një kështjelle të fortë që kontraston me pjesën e brendshme, jo aq të rreptë e me linja më të lakuara. Ai pasqyron vlerat e bashkimit, të forcës, të besimit dhe të ngrohtësisë që karakterizon punën e realizuar brenda mureve të tij. Veshja e ndërtesës përbëhet nga një mozaik me ngjyra të forta, e kuqe, argjend dhe kafe e praruar që rimerret respektivisht në betonin e pajandrave (furkave), në aluminin që mbulon fasadën dhe në vetratat e sallave të konferencave. Një lëndinë zbret me një pjerrësi të butë deri në shkallën kryesore të ndërtesës. Kjo hapësirë e gjelbër, ku dikur ishte Shtëpia e Evropës, ndërtesa që i parapriu Pallatit, strehon shumë vepra arti që i janë dhuruar Këshillit.

 

Agora

E inaguruar në prill 2008 dhe e konceptuar nga studiot e arkitektëve Art & Build ( Bruksel) dhe Denu dhe Paradon (Strasburg), Agora (« vend mbledhjesh i hapur » në greqishten e vjetër) është ndërtesa më e re e Këshillit të Evropës. E përzgjedhur si ndërtesa më e mirë për vitin 2008 (çmimi MIPIM), Agora është një konceptim që bashkon modernitetin me efikasitetin dhe respektimin e mjedisit. Fasada e saj e madhe prej xhami kufizon dy atriume të brendshme rreth të cilave organizohen sallat e konferencave të veshura me bakër të parapatinuar. Këto hapësira mbrojtëse mbulohen nga një çati metalike mbi të cilën ngrihen dy oxhakë diellorë prej pëlhure, të ndërtuara në mënyrë të tillë që të lejojnë ajrimin e atriumeve. Kjo ndërtesë progresiste (moderne) dëshmon përkushtimin e Këshillit të Evropës për përgjegjësinë ndaj mjedisit.

 

Pallati i të Drejtave të Njeriut

I përuruar në vitin 1955, Pallati i të Drejtave të Njeriut ndjek rrjedhën e Illit, lumit që përshkon Strasburgun. Ai është një nga veprat më të shquara të arkitektit të madh britanik Lord Richard Rogers, krijues gjithashtu i Qendrës Georges-Pompidou, i Millenium Dome të Londrës dhe ndërtesës së Asamblesë Kombëtare të Uellsit. I vendosur në bregun tjetër, përballë ndërtesës Louise Weiss të Parlamentit Evropian, Pallati i të Drejtave të Njeriut shpalos stilin modernist dhe funksional të Lord Rogers. Kjo ndërtesë që mban vulën e simbolizmit (fasada evokon shkallët e Drejtësisë), e ndërtuar me materiale moderne (përdorim i xhamit me shumicë, metaforë e transparencës), prodhon një efekt befasues. Pjesa e përparme e Pallatit të të Drejtave të Njeriut formohet nga dy sallat cilindrike të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Këto dy struktura madhështore lidhin pjesët kryesore të ndërtesës: hapësirat publike që përmbajnë elementë rrethorë të sofistikuar prej metali, qelqi dhe shkëmbinjsh ranorë të masivit të Vozhëve dhe zonën e zyrave, me stil të thjeshtë e të përmbajtur.

 

Drejtoria Evropiane për Cilësinë e Barnave dhe Kujdesin Mjekësor (DECB)

Ndërtesa e re e DCEB-së ndodhet mbrapa ndërtesës Agora. E projektuar nga arktitektët e firmave Art & Build me seli në Bruksel dhe Denu dhe Paradon, me seli në Strasburg, kjo ndërtesë u inagurua në Mars 2007. Struktura prej druri dhe xhami të lakuar është një ndërthurje e estetikës modern me funksionalitetin bashkë kohor. Këtu janë vendosur laboratorë, zyra, salla mbledhjesh të cilat mbështesin rolin në rritje të organizatës në monitorimin e cilësisë së barnave në Evropë e më gjerë.

 

Qendra Evropiane e Rinisë

E konceptuar nga arkitektët norvegjezë Lund & Slaatto, kjo ndërtesë funksionale (bashkëkohore) që ka pritur qysh prej vitit 1972 me dhjetra mijëra të rinj nga të gjitha anët, ngrihet në lagjen e Wackenit. Shembull i shquar i arkitekturës moderne skandinave, Qendra evropiane e rinisë shkrin vrazhdësinë e betonit dhe aluminit për të krijuar efekte befasuese.